Burime të TV21 tregojnë se ekspertët ndërkombëtar që ka angazhuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim për gjetjen e zgjidhjes për “mosrespektimin e vullnetit të votuesve”, janë duke i analizuar dy modele për rregullimin e shtetit. Ai është modeli I Belgjikës dhe i Irlandës së Veriut.
Po si janë këto modele?
Territori i Belgjikës ndahet në tre rajone, dy prej të cilëve, rajoni Flemish dhe ai Valonia ndahen në province. Ato ndahen sipas gjuhëve. Rajoni i tretë është Kryeqyteti i Brukselit, që nuk është as krahinë, as pjesë e një krahine.
Irlanda është më ndryshe. Akti i Qeverisë së Irlandës që u miratua në vitin 1920, parasheh dy njësi pjesërisht vetëqeverisëse në Irlandë, atë të Jugut dhe të Veriut. Ajo e veriut ka 6 qarqe. Këto nuk përdoren më për qëllime të qeverisjes vendore. Në vend të kësaj, ka njëmbëdhjetë distrikte të Irlandës Veriore, që u krijuan në vitin 2015, duke zëvendësuar njëzet e gjashtë distrikte që ekzistonin më parë.
Mbetet të shihet se cilin model ose nëse do të ketë kombinim ndryshe që do ta propozojnë ekspertët, me në krye Paul Uilliams, të angazhuar nga BDI. Megjithatë, pas publikimit të këtij lajmi të publikuar nga TV21, nisëm edhe reagimet politike. I pari që shkroi ishte Arben Taravari nga koalicioni VLEN.
“Është interesante se si BDI-ja pas 22 vjetësh, për herë të parë kujtohet sot se si do të ishte një zgjidhje territoriale adekuate për Maqedoninë. Nuk është 1 as 2 por 22 vjet vonesë… BDI-ja po dështon edhe në Opozitë”, tha Taravari
Nga ana tjetër, kreu i VMRO-DPMNE-së, kryeministri Hristijan Mickoski, as nuk i merr seriozisht hapat e BDI-së dhe do t’i merrte vetëm nëse integristët dalin dhe kërkojnë falje për atë që sipas tij kanë bërë deri më tani.
“Unë nuk do t’i komentoj politikat e BDI-së, është punë e tyre e brendshme, por kjo me të cilën ata tani përpiqen të dalin në opinion është politikë për sërish dez-integrim, rrënimin e karakterit unitar. Unë mendova se do të kenë marrë mësim dhe do të dalin të kërkojnë falje për qendrën tregtare në qendër të Shkupit, për makinat Maybach Rolls Royce, për kompani të atypëratyshme se si importojnë tenderë milionësh, për gjykatësit dhe prokurorët e kurdisur, vetëm kështu mundemi që t’i marrim seriozisht, të gjitha të tjerat, të më falni, unë e kuptoj si mbrojtje të krimit”, deklaroi Mickoski.
Fronti Europian vazhdon ta quajë përbërjen e re qeveritare si qeveri monoetnike dhe qeveri pa legjitimitet etnik. Kreu integrist Ahmeti ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe legjitimitetit etnik që buron nga fryma e МO-së, andaj ka angazhuar një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga Paul Williams, autor i tekstit të Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001. Nga Fronti Europian vlerësojnë se qytetarët shqiptarë në të ardhmen nuk do të kenë vullnet dhe arsye për të dalë në zgjedhje nëse nuk respektohet vullneti i tyre i shprehur me votë.