Maqedonia fiton këstin prej 65.7 mln eurosh nga BE-ja! Sali: Kemi afat deri në fund të qershorit për aplikime

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar këstin e ri prej 65.7 milionë eurosh nga Plani i Rritjes së BE-së. Zëvendëskryeministri Bekim Sali njoftoi se në periudhën e tretë të raportimit shteti zbatoi 21 hapa reformash, nga të cilët 16 u vlerësuan pozitivisht dhe tre u përfunduan para afatit. Por për të marrë fondet, shteti duhet të propozojë projekte konkrete dhe të afatizuara.

“Nëse flasim për pikat të cilat kanë grace periudhë deri në fund të qershorit, informacioni i fundit është që presim nga 10 pika, t’i plotësojmë 9 e gjysmë, teknikisht të jenë të plotësuara. Te kjo gjysma mbetet një pikë që është trajtuar nga KE si pikë që ka nevojë për dinamikë më të gjatë. Edhe ashtu është çështje e subvencionimit të energjisë elektrike të qytetarëve, e cila ‘de facto’ është në interes të qytetarëve që mos ta plotësojmë apo pjesërisht ta plotësojmë me dinamikë të zvogëluar”, tha Bekim Sali.

Nga 65.7 milionë euro të dhëna, 30.6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, dhe sipas Salit fondet e mbetura do të ndahen për projekte zhvillimi dhe investime strategjike përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor. Zëvendëskryeministri i parë tha se kjo nënkupton më shumë investime në infrastrukturë, energji, dixhitalizim, arsim dhe kapital njerëzor.

“Deri tani kemi një metodologji të re për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm, internet dhe pajisje IT në 160 shkolla fillore, avancimin e shërbimeve digjitale dhe identifikimin elektronik, reforma në menaxhimin e financave publike, transparencë më të madhe institucionale, ulje të procedurave burokratike dhe investime më të organizuara në zhvillimin njerëzor dhe digjital”, deklaroi Sali.

Afati për plotësimin e hapave është fundi i qershorit, pas të cilit shtetet kanë edhe 15 ditë shtesë për të kompletuar dhe dërguar dokumentet në Komisionin Evropian. Komisioni ka liruar gjithashtu fondet për Shqipërinë 49 milionë euro dhe për Malin e Zi 44.2 milionë euro. Megjithatë, të gjitha këto fonde mund të mos shfrytëzohen nëse shtetet nuk zbatojnë agjendën reformuese brenda afateve të caktuara.