Sivjet Ilindenin e festojmë me një lëvizje të rëndësishme drejtë realizimit të qëllimeve tona strategjike – anëtarësimi ynë i plotfuqishëm në NATO dhe fillimi i negociatave me BE, tha shefi i shtetit Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në Pelincë. Ai dërgoi mesazhe për ballafaqimin me pandeminë me Kovid-19 dhe pasojat e saj ndaj ekonomisë, gjyqësisë, veçanërisht ndaj krimit dhe korrupsionit. Pas formimit të qeverisë, ai kërkoi përkrahje nga të gjitha subjektet politike në përpjekjet e tyre për pajtim të qytetarëve.
“Qytetarët tanë janë të zhgënjyer kur shikojnë se Prokuroria e cila ishte simbol i shpresave tona për zbulimin e krimit të organizuar, është shpërbërë për shkak se vetë ajo u bë pjesë e krimit të organizuar. Çdo keqpërdorim i funksionit, çdo denar i keqpërdorur nga financat publike, çdo tender i kurdisur, çdo prolongim i procedurave me vite të tëra, çdo maltretim i qytetarëve nëpër korridoret e administratës, janë arsye plus që qytetarët vendosin të largohen nga vendi”, deklaroi Stevo Pendarovski – President i RMV-së.
Kryeministri Oliver Spasovski foli në Kalanë e Shkupit ku te përmendorja “Fuqi Drejtësi Liri” vendoi lule.
Parimet e Ilindenit nuk janë kthyer drejt së kaluarës por drejt së ardhmes. Ilindeni është në kujtimet tona si trashëgimi i gjallë, tha Spasovski.
“Sot festojmë dhe në nder të të gjithë bashkëqytetarëve dhe bashkëqytetareve tanë që në shtetin tonë të lirë kanë dhënë kontributin e tyre për të qëndruar me krenari para flamurit dhe me krenari ta flasim gjuhën tonë amtare, gjuhën maqedonase. Treguam se e dimë se si t’i ruajmë dhe t’i zbatojmë parimet e ilinditasve. Vendin tonë nga udhëtar i harruar në një korsi pa rrugëdalje, e vendosëm në binarët që na çojnë drejt integrimit euroatlantik”, tha Oliver Spasovski – kryeministër.
Dy Ilindenët i uroi edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi i cili duhej të vinte në Krushevë, në Meçkin Kamen, por për shkak të gjendjes së tij të shëndetësor, atje shkoi nënkryetari i Kuvendit Goran Misovski.
