Maqedonia e 6-ta në botë për investime të huaja! Mucunski: Klimë tërheqëse për kompanitë ndërkombëtare

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut është radhitur në vend të 6-të në botë për tërheqje të investitorëve të huaj për nga vëllimi i investimeve në “greenfield” krahas Bruto prodhimit vendor, thonë nga Ministria e jashtme, duke iu referuar raportit të përgatitur në 10 vitet e fundit nga reparti hulumtues “fDi Intelligence i Financial Times” të Londrës. Në konferencën për shtyp, ministri Timço Mucunski shpjegoi se investimet në greenfield nënkuptojnë fabrika të reja, kapacitete dhe vende të reja pune, duke shtuar se ky indeks tregon se vendi po tërheq më shumë kapital të ri sesa do të pritej.

“E dimë çfarë presin qytetarët. Jo duartrokitje për statistikat, por shtet të ndershëm dhe rregulla të qarta. Vende pune më mirë të paguara dhe shpenzime më të ulëta, shërbime të shpejta digjitale dhe vazhdimësi në përmirësim dhe ashtu do të jetë. Prandaj sot nuk themi se është arritur qëllimi, por që sot edhe më tej e përshpejtojmë hapin. Shkurtojmë afate dhe i ndërlidhim kompanitë vendore me investitorët e huaj”, tha Timço Mucunski, ministër i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme.

Drejtori i Drejtorisë për Zonat industriale dhe zhvillimit teknologjik Goce Dimoski theksoi se prioritetet kryesore janë rritja ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës dhe tërheqja e investimeve me vlerë të lartë të shtuar për ekonominë e vendit. Ai theksoi se qëllimi përfundimtar është një ndryshim strukturor në mënyrën e tërheqjes së investimeve me fokus në cilësi dhe vlerë të shtuar, në krahasim me sasinë dhe shkallën e projekteve që është ndryshimi thelbësor që e dallon vendin tonë nga shumë ekonomi të tjera në të kaluarën, por edhe aktualisht në rajon.

“Sipas raportit të njëjtë, Maqedonia është lider në rajonin Adria, përkatësisht Maqedonia është shembull për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila ka tejkaluar pritshmëritë kur bëhet fjalë për tërheqje të investitorëve të huaj. E gjithë kjo është rezultat i punës së përkushtuar dhe politikave të reja strategjike, reformave dhe promovimit aktiv të shtetit si stabile dhe destinacion për investim”, u shpreh Goce Dimovski, Drejtor i Drejtorisë për Zonat Industriale dhe Zhvillimit Teknologjik.

Kujtojmë që në dekadën e fundit investitorët e huaj kanë pasur lehtësira fiskale nga shteti. Madje edhe në disa zonat industriale u jepen parcela në shfrytëzim papagesë, tarifa minimale doganore dhe për vitet e para të investimeve, pagesa e kontributeve të punëtorëve të tyre nga vet shteti.