“Maqedonia do të bëhet”, Mickoski me agjendë të ngjeshur në ditën e parë të punës

TË FUNDIT

“Do ta respektoj Kushtetutën dhe Ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Hirstijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Me betim me emrin kushtetues , Mickoski e filloi mandatin katërvjeçar. Prapashtesën “E Veriut” ai e vlerësoi si të turpshme, por mori për obligim që do ta respektojë në komunikimin ndërkombëtar, ndërsa me shumë gjasa betimi do të jetë rast i rrallë kur do ta përdorë para opinionit vendas.

Dhjetë orë më vonë Mickoski u prit me solemnitete në zyrat e reja në rrugën “Ilindenska”. E pritën shefi i Kabinetit, Vlladimir Nellovski dhe Igor Janushev, i cili përmendet si sekretar i ardhshëm i përgjithshëm i Qeverisë. Para mediave e përshëndeti edhe kryeministrin teknik, Talat Xhaferin, me të cilin shtrënguan duart, por takimi vazhdoi pas dyerve të mbyllura.

 “U konstatua se Qeveria teknike dhe institucionet shtetërore me sukses iu përgjigjën detyrës për organizimin e procesit zgjedhor demokratik dhe të drejtë dhe mundësuan pranim-dorëzim të qetë të pushtetit. Kjo u vlerësua si kontribut në sjelljen europiane të shtetit, i cili ka për qëllim anëtarësimin e plotfuqishëm të BE-së”, thonë nga Qeveria.

Takimi me Xhaferin ishte i shkurtë për shkak se kryeministri i ri kishte agjendë të ngjeshur. Mickoski u drejtua drejt Shtipit në hedhjen e gruthemelit të Qendrës së sportit, ndërsa menjëherë më pas me partnerin e koalicionit VLEN dhe ministrin e shëndetësisë, Arben Taravarin, e vizituan objektin në ndërtim të spitalit në Shtip. Mickoski paralajmëroi se Qeveria do të funksionojë si ekip, ndërsa qytetarët do të jenë krenarë.

 “Unë me të vërtetë jam krenar që me të vërtetë kështu bukur, me projekte mund ta fillojmë mandatin si Qeveri. Jam i bindur se kjo do ta kthejë shpresën te qytetarët se Maqedonia do të bëhet”, tha Mickoski.

Mickoski për nesër paralajmëroi fillim të investimit të parkut të ri të erës, ndërsa siç shtoi, në seancën e parë të Qeverisë së re nga fundi i javës do të gjendet edhe çështja për rritje lineare të pensioneve.

I pyetur për kravatën ngjyrë portokalli, për shkak se rikujton të kaluarën, tha se nuk ka simbolikë por është njëra prej ngjyrave të tija të preferuara.