Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të bashkëpunojnë në luftën kundër zjarreve. Projekti përbëhet nga teknologjia e re që mundëson të zbulohen herët informacionet për zjarret që do të paraqiten, thonë nga Qendra për menaxhim me kriza. Me këtë rast institucionet relevante nga të dyja shtetet do të reagojnë me kohë dhe do të kyçen në shuarjen e zjarreve.
“Kjo domethënë se në vendet ndërkufitare do të kemi të vendosura ashtu sisteme, aparatura të cilat do të japin sinjalet, pra do të japin informatat se si zjarri ose tymi i zjarrit, do të na japin informata se nga cila anë po përhapet dhe nga cila anë mund të depërtojë”, tha Ekrem Zendeli, zv/drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Sipas drejtorit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, çdo moment në luftën kundër shuarjes së zjarrit është i rëndësishëm.
“Kjo është e një rëndësie të madhe për shtetin tonë, sepse viteve të fundit pamë se sa është i rëndësishëm zbulimi i hershëm i zjarreve që të mund institucionet të veprojnë më herët. Çdo moment që njësitë kundër zjarrit dhe të tjerët, do të dalin më herët në terren do të mundësojnë më lehtë të fiken zjarret”, pohoi Stojançe Angellov, drejtor i QMK.
Vitin e kaluar në vend u shpall gjendje krize për shkak të zjarreve të shumta që kapluan hapësira të mëdha malesh. Atëherë shumë shtete me ekipe zjarrfikëse i dolën në ndihmë vendit tonë, por tani sa jemi të gatshëm me pajisje dhe resurse të luftojmë, nëse eventualisht ndodhemi në një situatë të atillë.
“Drejtoria tani i ka në disponim tre aeroplanë dhe MPB-në e kemi angazhuar me dy ekipe të cilat do të jenë në gatishmëri për të intervenuar edhe atë me helikopter dhe si zakonisht Ministrinë e Mbrojtjes, e cila çdo herë është e përgatitur me helikopterët e saj që të intervenojë”, theksoi Ekrem Zendeli, zv/drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Qendra për Menaxhim me Kriza shpalosi projektin “Zbulimi i hershëm i zjarreve, parandalimi i tyre dhe menaxhimi i fatkeqësive”. Përndryshe ky është projekt IPA dhe e mbështet BE, ndërsa e ka realizuar ekipi i QMK.
