Maqedoni e Veriut – Kosovë, sot në Prishtinë mbahet mbledhja e përbashkët e dy Qeverive

TË FUNDIT

Sot në Prishtinë do të mbahet mbledhja e përbashkët ndërqeveritare Maqedoni e Veriut-Kosovë. Është paraparë që të nënshkruhen disa memorandume dhe marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha. Siç kanë paralajmëruar zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, në këtë mbledhje do të firmosen marrëveshje për pika të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” në Bllacë dhe Jazhincë. Pika tjetër e diskutimit do jetë për bashkëpunimin në sferën e energjetikës, për shfrytëzimin racional të resurseve natyrore dhe forcimin e sigurisë energjetike, si përgjigje ndaj sfidave të tranzicionit energjetik dhe krizës energjetike në rajon. Pritet të firmosen edhe memorandum për arsim, shkencë dhe inovacion, që fokusohet në arsimin profesional dhe trajnimin për të rriturit, si dhe këmbim përvojash, literaturash dhe projektesh arsimore mes dy vendeve.