Erdhi nga mërgimi për të bërë pushimet në vendlindje.
Ibrahim Shemsedini nga Tearca ka një javë që po endet në polici për ta paraqitur gruan që e ka me shtetësi gjermane, por assesi ta kryejë këtë punë. Arsyeja është se nuk ka kartonë.
Veç kësaj, ishte edhe në komunë për të parë nëse ka ndonjë borxh dhe për ta paguar ujin, por në zyrë nuk ishte askush.
Krejt këto parregullsi e mërzisin kurbetçarin, i cili thotë se tash e tutje do të mendohet dy herë para se të vijë në vendlindje.
“Jam kthyer në Maqedoni se e kam bërë një shtëpi në vendlindje ama këtu nuk ka më asgjë, nuk ka kartonë me paraqit shoqen, një javë e tepër jam këtu, rreth 10 ditë. E dyta, uji nuk pihet këtu në Tearcë ka qenë uji më i mirë në Maqedoni, tash është bërë më i keqi në Maqedoni, duhet të blesh ujë në dyqan. E treta, rrugët e kanë vu kanalizimin, kurrkund kanalizimi nuk është, i kanë prish rrugët në mes dhe nuk bëhet ashtu ose në djathtë ose majtë edhe i kanë prish rrugët i kanë i kanë ashtu. Kam ardhur të shoh a ka ndonjë borxh, isha të paguaj ujin ishte e mbyllur. A do kem problem në kufi, se shoqen e kam “beamte”, që shqip i vjen punon për shtetin si policia, si partia por unë do thirri atje dhe Gjemania bën dicka.”- thotë Ibrahim Shemsedini, Mërgimtar.
Nga Ministria e brendshme thonë se ka dërguar kartonë në bazë të nevojave që kanë kërkuar stacionet në të gjithë vendin në mënyrë periodike.
“Ju njoftojmë se sipas nevojave të parashikuara të Stacioneve të policisë në nivel të gjithë vendit, në mënyrë periodike dorëzohen karta për regjistrimin dhe çregjistrimin e të huajve, numri i të cilave nuk mund të përcaktohet me saktësi paraprakisht.”- thonë nga MPB .
E për ujin, kryetra i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri arsyetohet se të punësuarit e ujësjellësit janë në terren për të siguruar ujë të pijshëm, andaj nuk kanë qenë në vendin e punës.
“Ekipet janë në vazhdimësi në terren për shkak se janë duke u kryer punët në rrjetin e kanalizimit dhe thuajse në të njëjtën kohë në të njëjtën trase zhvillohet edhe ndërpritet uji në vazhdimësi dhe kjo përbën një pengesë që punëtorët të jenë në vazhdimësi në zyra për shkak të emergjencës që paraqet furnizimi me ujë në vendbanimin.”- dekëaroi Nuhi Neziri, Kryetar i Komunës së Tearcës.
Komuna e Tearcës ka mbi 20 mijë banorë, ndërsa është ndër komunat në Maqedoni që nuk ka rrjet të kanalizimit. Me ujë furnizohet nga lumenjtë që është arsyeja se pse uji nuk është i pijshëm.
