Nesër mblidhet komisionit kuvendor për mandate dhe imunitete i cili pritet të vendosë që deputetit Nikolla Gruevski t’i merret mandati i deputetit. Këtë komision e drejton deputeti Pavle Bogoevski, por pas publikimit të bisedës ku ai dëgjohet se porositë lëndë narkotike, opozitarja VMRO-DPMNE tani konsideron se Bogoevski s’ka më kredibilitet të përfaqësojë qytetarët në Kuvend.
“Për këtë shkak patjetër duhet të japë dorëheqje të parevokueshme. Vetëm kështu do të mundësohej hetim profesional dhe të paanshëm se nga kush porositi “gjysmë” dhe e njëjta t’i paketohet mirë”, u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Por deputeti i LSDM-së Hari Llokvenec bën thirrje që të mos largohet vëmendja nga thelbi i seancës së nesërme.
“Seanca e nesërme është që deputetit Nikolla Gruevski t’i merret mandati”, tha Hari Llokvenec deputet i LSDM-së.
Deputetët e VRMO-DPMNE-së thonë se ende nuk janë koordinuar nëse do të votojnë për t’ia marrë mandatin ish-shefit të tyre.
“Sinqerisht nuk kemi pasur koordinim për këtë çështje, të shohim se çfarë do të sjellë e nesërmja. Qëndrimi im personal është se unë askujt s’mund t’i marr diçka që nuk ia kam dhënë”, potencoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev.
Deputeti i LSDM-së Kostadin Kostadinov marrjen e mandatit të Gruevskit e quan punë të pastër, se gjithkush që ka gabuar para ligjit e ka patjetër të përgjigjet. Deputeti i BDI-së Artan Grubi tha se partia e tij do ta mbështesë nismën për marrjen e mandatit të deputetit Greuvski.
Ish-kryeministrit mund t’i merret mandati për shkak se tashmë më shumë se 6 muaj ka munguar pa arsye në punët e Kuvendit. Mungon për shkak se është arratisur në Hungari ku edhe ka marrë azil politik, me aryetimin se po përndiqet politikisht nga pushteti aktual. I njejti duhet të vuajë 2 vite burg për rastin “Tanku” të Prokurorisë Speciale.
Përgatiti: Besir Arifi
