Nga gjithsej 113 deputetë që votuan, 62 dhanë dritë jeshile ndërsa 51 ishin kundër përbërjes së propozuar për qeveri të re. Pas votimit kishte ovacione.
Votimit i paraprinte debat i ashpër dyditor.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Dafkova kishte problem me kohën për shkak se nuk i mjaftonin 10 minuta që janë të parashikuar për pyetje deputetësh.
Gordana Siljanovska: Dhe duhet të ballafaqohemi me këtë.
Talat Xhaferi: Faleminderit!
Gordana Siljanovska: Për çka “faleminderit”?
Talat Xhaferi: Ju skadoi koha. Kishit 10 minuta për të folur, mendova se e keni lexuar rregulloren, i keni 10 minuta për fjalim
Gordana Siljanovska: A jeni i sigurt se kaluan 10 minuta?
Talat Xhaferi: Kam orë që e mat kohën, nuk duhet unë të jem i sigurt, kam matës të kohës.
Në fund të ditës, të gjithë ministrat u betuan se do të punojnë në mënyrë të ndershme dhe të përgjegjshme. Gjatë leximit të betimit, kryeparlamentari Talat Xhaferi e shfrytëzoi emrin e vjetër të shtetit, por gjatë përsëritjes nga ana e ministrave ata e përdorën emrin e ri – Republika e Maqedonisë së Veriut.
Talat Xhaferi: Do ta respektoj kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë.
Ministrat: Do ta respektoj kushtetutën dhe ligjet e Republikës ës Maqedonisë së Veriut.
Pas kësaj kishte urime në forma të ndryshme.
Pastaj, fotografimi tradicional në hyrjen e Kuvendit, por kësaj here në distancë dhe me maska të cilat pastaj i hoqën.
Zoran Zaev: “Nëse jeni të gatshëm t’i heqim maskat, pa maskë”….
“Jo, jo”!
Zoran “Zaev: Kush thotë JO”?
Mbaruan me pyetje nga njeriu i parë i Qeverisë.
Zoran Zaev: “Jeni të gatshëm për punë”?
“Po”
“Që në muajt e parë të mandatit, Qeveria e re do të sigurojë mekanizma për reforma strukturore brenda administratës publike, por edhe në pjesën e sundimit të së drejtës përmes pastrimit të gjyqësisë dhe ndërtimit të shtetit të fuqishëm dhe të pavarur juridik”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.
