Pasi të marrësh test pozitiv për koronavirus, nuk do të kesh vendim për izolim, e as nuk do të figurosh në covid-statistikat ditore të Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë mënyrë pothuajse një vit Spitali “Pllodnost” nga Manastiri bën teste të koronavirusit pa pasur certifikatë.
“Instituti për Shëndet Publik i regjistron të infektuarit të cilët kanë bërë teste ekskluzivisht në Institucionet Shëndetësore Publike dhe Private që posedojnë certifikatë. Spitali “Pllodnost” në Manastir nuk është mes tyre, prandaj nuk është burim relevant për evidencë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Pas ankesës, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka bërë kontroll, pas çka ka dhënë ndalesë për realizim të testeve.
“Nga ana e ISHSSH është dhënë vendim me të cilin ndalohet kryerja e testeve të shpejta për Covid”, theksojnë nga Inspektorati Shtetëror Sinatar dhe Shëndetësor.
Por, përgjigjen që e morën nga spitali ishte krejtësisht e ndryshme:
“Spitali “Pllodnost” mori vendim nga Ministria e Shëndetësisë për një PCR laborator molekular”, potencojnë nga Spitalit “Pllodnost” – Manastir.
Pas kësaj, TV21 sërish kërkoi përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, por prej atje na përsëritën se i qëndrojnë përgjigjes tashmë të dërguar.
Ndryshe, spitali “Pllodnost” bën teste për koronavirus, kurse atje çdo ditë testohen shumë qytetarë nga Manastiri, Resnja, Prilepi, Demir Hisari, sepse për t’u testuar në ndonjë spital shtetëror për termin pritet një ose dy javë.
Në qoftë se merrni rezultat pozitiv nga “Pllodnost”, as mjeku amë, e as institucionet nuk do ta pranojnë, prandaj do t’ju caktojnë termin në ndonjë klinikë shtetërore apo private të cilat disponojnë me laboratorë të certifikuar.
