Mali i Zi zgjedhë Qeveri të re

TË FUNDIT

Në Cetinje sot do të mbahet mbledhja e Parlamentit të Malit të Zi, në të cilën duhet të zgjedhet qeveria e re e pakicës, e propozuar nga mandatari Dritan Abazoviq.

Qeveria e re, siç është propozuar, do të ketë 18 resorë, katër nënkryetarë dhe dy ministra pa resor.

“Deputetët e Frontit demokratik nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e sotme, sepse qeverinë e propozuar e konsiderojnë jolegjitime”, deklaroi deputeti i kësaj aleance, Sllaven Radunoviq.

Parlamenti malazez sot duhet ta zgjedhë edhe kryetarin e Kuvendit.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq ishte ndërruar më 7 shkurt. Nënkryetari dhe kryesuesi i Kuvendit, Strahinja Bullajiq dha dorëheqje më 20 prill.

Në rend dite të mbledhjes janë edhe ndryshimet e propozuara të ligjit për akcizat dhe tatimit të vlerës së shtuar, si dhe propozim ligji për masa të përkohshme për kufizim të çmimeve të prodhimeve, që janë me rëndësi të posaçme për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Pika e fundit e mbledhjes janë zgjedhjet dhe emërimet.