Bora që nisi të bjerë nga mëngjesi, në Tetovë e ka vështirësuar qarkullimin në trafik, e sidomos në pjesën e malësisë.
Ekipi i TV21 në mesditë vizitoi malësinë e Sharrit, ku rrugët ishin të kalueshme, por me pajisje dimërore.
Banorët na thanë se edhe pse këtej ka kaluar kamioni për pastrimin e rrugëve, kripë nuk është hedhur.
-Nuk kam parë unë asgjë, ama shihet se është pa pastruar, pa kripë pa asgjë. Çfarë të them, është rrezik çdo kund, edhe në qytet, edhe këtu, deri sa është pa pastruar është rrezik.
-Siç e shihni edhe vetë nuk është shumë e mirë, me zinxhirë se i mbajë nxënësit e shkollës, por tash ka kaluar edhe mendoj se do behët mirë edhe do pastrohet.
-Kaloj kamioni lart shkoi, po poshtë nuk është kthyer.
-Po kripë?
-Kripë nuk ka për momentin nuk ka, e pash se kaloi, po krip nuk ka.
Nga komuna e Tetovës na thanë se janë duke pastruar rrugët dhe se gjashtë makina për pastrimin e borës dhe ekipet e NPK Tetova janë në terren për të pastruar trotuaret.
“Ekipet për pastrimin edhe mirëmbajtjen e rrugëve janë në terren edhe po ua mundësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve të Tetovës në rrugët e qytetit dhe të malësisë. Ekipet janë në terren po punohet në pastrimin e rrugëve gjegjësisht dhe hedhjes së kripës. Bëjmë apel tek të gjithë qytetarët e Tetovës, veçanërisht të malësisë të vozisin me kujdes dhe të kenë pajisje dimërore”, tha Albi Qamili – Zëvendëskryetar i Komunës Tetovës.
Edhe në qytetin e Tetovës në orët e paradites rrugët ishin të pa pastruara, ndërsa rruga Tetovë-Kodra e Diellit që menaxhohet nga Ndërmarrja Rrugët e Maqedonisë ishte e hapur.
