Katër ditë pas fitores së kandidatit të demokratëve Xho Bajden, presidenti francez Emanuel Makron ka biseduar me presidentin e ri amerikan për ndryshimet klimatike dhe luftën kundër terrorizmit, me të cilin shpreson se do të bashkëpunojë për çështjet e mëdha ndërkombëtare, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Parisi.
“Emanuel Makron e uroi Xho Bajdenin dhe nënpresidenten Kamala Haris dhe i siguroi në gatishmërinë e tij të punojnë së bashku në temat bashkëkohore: Klima, shëndeti, lufta kundër terrorizmit dhe mbrojtja e të drejtave themelore”, theksohet në kumtesën e Pallatit të Eliseut.
Kjo bisedë e shkurtë dhjetëminutëshe ka ndodhur katër ditë pas publikimit të fitores së demokratëve mbi Donald Trampin.
Si edhe shumë liderë të tjerë evropianë, Makroni ia uroi fitoren që të shtunën, duke i bërë thirrje të veprojnë “së bashku” për “t’iu përgjigjur sfidave të tanishme”.
Duke ardhur në pushtet në vitin 2017, Emanuel Makroni asnjëherë nuk është takuar me Xho Bajdenin, i cili ishte nënpresident i Barak Obamës midis viteve 2009 dhe 2017./MIA
