Rumen Radev dhe Kirill Petkov së shpejti do të udhëtojnë në Francë, ku pritet Emanuel Makron në ditët e fundit të Presidencës franceze t’ua paraqesë propozimin e tij për tërheqjen e vetos për anëtarësim të Maqedonisë në BE.
Por, cili është plani? Presidenca franceze t’i përfshijë të gjitha kërkesat bullgare në kornizën negociuese, e për plotësimin e tyre të garantojë vetë Makroni.
“Kjo do të thotë se kemi besim të plotë te Makroni, por në të njëjtën kohë po rrezikojmë të biem në një kontest dekadash, pasi çdo vend-anëtar do të mund të bllokojë çdo vendim. Do të ishte një kontest pa fund, e ne nuk duam të përfundojmë si Turqia”, thonë burimet nga Qeveria e Bullgarisë në Bgnes.
Por, sipas një pjesëmarrësi tjetër në Këshillin e Sigurisë, plani francez përmban propozime që nuk janë tërësisht të qarta dhe nuk është aspak e sigurt se Komisioni Evropian mund të japë garanci për zbatimin e tyre në të ardhmen.
Nga ana tjetër, edhe Ukraina është një argument për një zgjidhje të shpejtë. “Do të ishte sinjal shumë i keq nëse Ukraina merrte ftesë, e Maqedonia dhe Shqipëria vazhdonin të prisnin. Kjo është arsyeja përse Presidenca franceze po ngutet me propozime”, shprehet një burim tjetër nga Qeveria bullgare.
Në takimin e fundit të koalicionit në Sofje, është dakorduar që në dy javët e ardhshme askush të mos komentojë ose të mbajë qëndrim sa i takon çështjes me Maqedoninë. Njëkohësisht, të gjithë përfaqësuesit e partive të ndryshme politike që janë pjesë e Qeverisë bullgare, do të pohojnë se “nuk ka zmbrapsje lidhur me Maqedoninë dhe se do të mbrohen të gjithë interesat kombëtarë të vendit tonë”.
Petkovi thotë se për momentin e di se po punohet shumë në nivel të MPJ-ve për të përcaktuar se cilat janë mundësitë për avancim kur bëhet fjalë për temën me Maqedoninë. Sipas tij, nuk mund të konfirmohet asgjë lidhur me hapat që do të ndërmerren.
“E di se për momentin në nivel të të dyja ministrive po bëhet shumë punë për t’i shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme për përparim me Maqedoninë e Veriut. Por, së pari diplomatët duhet të arrijnë marrëveshje për të vazhduar përpara, kurse tani për tani nuk mund të konfirmojmë asgjë sa u takon hapave realë”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.
Takimi i radhës i Këshillit Evropian do të mbahet më 23-24 qershor, kur paralelisht do të mbahet edhe takim mes BE-së dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
