BE ka arritur marrëveshje historike për mjetet financiare të përbashkëta të domosdoshme për tejkalimin e sfidave të pandemisë Kovid-19, deklaroi sot presidenti francez, Emanuel Makron.
Sipas tij, marrëveshjes i paraprinë negociata “të gjata dhe të vështira”, gjatë të cilave ishte e nevojshme të bëhen lëshime që të tejkalohen dallimet që e pengonin arritjen e unitetit.
“Lëshimet ishin proporcionale dhe të domosdoshme për të arritur një plan të dobishëm dhe të madh për rimëkëmbjen ekonomike të BE-së”, vlerësoi Makron para konferencës për shtyp.
“Nuk ka botë të përsosur, por ne arritëm progres”, përfundoi presidenti francez.
Liderët e BE-së sot në mëngjes arritën marrëveshje për planin për rimëkëmbje dhe buxhetin shumëvjeçar të përbashkët në shumë prej 1.824 miliardë eurosh për periudhë nga viti 2021 deri në vitin 2027.
