Maduro “kopjon” strategjinë e Vietnamit? Venezuela shpall gatishmëri për luftë guerile kundër SHBA-së

TË FUNDIT

Tensionet janë sërish të larta në Karaibe pas mbërritjes së USS Gerald Ford, aeroplanmbajtëses më të madhe nën komandën e Pentagonit, e cila është gati t’i bashkohet grupit të saj të goditjes, të përbërë nga mbi 4 mijë marinarë dhe dhjetëra avionë luftarakë.

“Këto janë orë vendimtare për vendin tim; ajo që po ndodh nuk është vetëm një ngjarje kombëtare, por një pikë kthese për të gjithë Amerikën Latine”,
tha Maria Corina Machado, udhëheqëse e opozitës dhe fituese e Çmimit Nobel për Paqen.

Presidenti Nicolás Maduro, të cilin shumica e bashkësisë ndërkombëtare nuk e njeh pas zgjedhjeve të manipuluara, është përgjigjur duke mobilizuar ushtrinë dhe “vullnetarët” – sipas Karakasit mbi 200 mijë persona, por shumë më pak sipas analistëve.

Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino López, figurë kyçe e regjimit paraushtarak, ka shpallur gjendje gatishmërie të përgjithshme dhe ka aktivizuar një plan mbrojtjeje gjithëpërfshirës për të siguruar “infrastrukturën e ndjeshme si energjia elektrike, uji, gazi, furnizimet ushqimore dhe rrugët kryesore të komunikimit”.

Sipas mediave shtetërore, Venezuela po përgatitet për një sulm të mundshëm amerikan, duke imituar strategjinë guerile të Vietnamit. Njësitë ushtarake të vogla janë të angazhuara në operacione taktike dhe sabotimi në mbi 280 zona të vendit.

Tensionet kanë ringjallur frikën e një “Lufte të Ftohtë të re” në rajon, ndërsa Moska – aleate strategjike e Karakasit – ka dërguar dërgesat e para për forcimin e mbrojtjes ajrore të Venezuelës.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur “shqetësim të thellë” dhe kanë bërë thirrje për dialog diplomatik mes SHBA-së dhe Venezuelës.

Në samitin e OKB-së për klimën që po zhvillohet në Belém të Brazilit, guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom kritikoi bombardimet e Presidentit Donald Trump ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge, ku u vranë të paktën 76 persona në brigjet e Venezuelës.

“Ishte e tmerrshme të shihje ushtrinë amerikane të hidhte në erë anije pa asnjë transparencë dhe pa miratim të Kongresit. Çfarë ndodhi me procesin ligjor dhe sundimin e ligjit?”, tha Newsom.

Në përpjekje për të siguruar mbështetje ndërkombëtare, Maduro u ka dërguar një letër të hapur krerëve të shteteve të Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, të mbledhur në Kolumbi, ku denoncoi “kërcënimet ndaj sovranitetit të Venezuelës” dhe kërkoi unitet për mbrojtjen e Amerikës Latine si zonë paqeje.

“Venezuela nuk do të pranojë asnjë formë kontrolli,” shkroi Maduro.