Nëse Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dëshiron vërtet të fitojë Çmimin Nobel për Paqen, ai duhet të ndalojë luftën në Gaza, tha të martën Presidenti francez, Emmanuel Macron.
Në një intervistë për televizionin francez BFM nga Nju Jorku, Macron tha se vetëm Trump ka fuqinë të ushtrojë presion mbi Izraelin që t’i japë fund luftës.
“Këtu është një person që mund të bëjë diçka për këtë, dhe ai është presidenti i SHBA-ve. Dhe arsyeja pse ai mund të bëjë më shumë se ne, është sepse ne nuk furnizojmë armë që lejojnë luftën në Gaza të zhvillohet. Ne nuk furnizojmë pajisje që mundësojnë zhvillimin e luftës në Gaza. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë këtë. Shoh një president amerikan që është i përfshirë, i cili përsëriti këtë mëngjes nga podiumi: ‘Dua paqe. Kam zgjidhur shtatë konflikte’, i cili dëshiron Çmimin Nobel për Paqe. Çmimi Nobel për Paqe është i mundur vetëm nëse e ndalni këtë konflikt”, deklaroi Emmanuel Macron.