Rritja e ndjeshme e nivelit të lumit Vjosë ka krijuar një situatë alarmante në disa zona përgjatë shtratit të tij. Në stacionin matës të Memaliajt, niveli i ujit ka arritur në 7.5 metra, duke dëshmuar prurje shumë të larta si pasojë e reshjeve intensive.
Situata paraqitet edhe më problematike në urën e Mifolit, ku lumi ka shënuar nivelin 9 metra, duke mbuluar plotësisht pajisjet matëse dhe duke pamundësuar monitorimin e saktë të nivelit të ujit në këtë pikë.
Si pasojë e rritjes së prurjeve, rreth 100 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Autoritetet lokale bëjnë me dije se, që prej ditës së djeshme, janë evakuuar 13 banesa për shkak të rrezikut të shtuar për jetën dhe pronën e banorëve. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Megjithatë, situata mbetet kritike dhe ekziston rreziku i përmbytjeve të tjera nëse reshjet vazhdojnë edhe në orët në vijim. Strukturat e emergjencës ndodhen në gatishmëri të plotë, ndërsa banorëve që jetojnë pranë lumit u kërkohet të tregojnë kujdes maksimal dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve./VizionPlus
