Luftimi i krimit e korrupsionit rrit ekonominë – Zaev, Kurti dhe Abazoviç në Forumin e “The Economist” për Ballkanin

TË FUNDIT

Edhe pse në Samit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, përfaqësuesit më të lartë të rajonit që morën pjesë, më shumë u pyetën për kontestet dypalëshe mes fqinjëve, ndërsa theksin e vunë edhe tek siguria dhe lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Unë mendoj se çdo sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit menjëherë, jo vetëm në Maqedoni të Veriut, por në gjithë rajonin, do të tregojë efekte më të mira ekonomike, sepse nuk është vetëm mënyra se si i tërheqim investimet, materialet ose pozita e mirë gjeografike, por gjithashtu edhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit si dhe sundimi i ligjit, menjëherë nënkuptojnë ekonomi më të mirë, dhe ne e ndjejmë këtë, në katër vitet e fundit”, tha Zaev.

Ajo që na duhet është demokracia funksionale dhe sundimi i ligjit, si luftë kundër autokracisë dhe korrupsionit, u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shtuar se me këto fenomene nuk përballen vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe disa të Bashkimit Evropian. Korrupsionin dhe krimin e përmendi edhe kur u pyetën për zhvillimet në Mitrovicën e veriut.

“Për stabilitetin institucional dhe sundimin e ligjit nuk mund të ketë stabilitet të krimit. Po e luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar i cili është multietnik. Kriminelë serbë dhe shqiptarë bashkëpunojnë shumë mirë dhe ne do ta luftojmë këtë pavarësisht gjithçkaje. Dje kishte operacion policor në katër komuna të Kosovës, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut, ku bashkëpunonin kriminelë të ndryshëm serbë dhe shqiptarë, e gjyqtari, prokurori që dha urdhër për operacionin ishin serbë, shumica e policëve ishin serbë. Disa nga policët e lënduar ishin serbë dhe shqiptarë. Mendoj se është gabim ta politizojmë ose japim kahje etnike luftën kundër krimit të organizuar”, tha Kurti.

Për zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë prodhuesit e shumë gjërave negative në rajon.

“Duhet kuptuar se pa largimin e këtyre faktorëve negativë në rajon, brenda shteteve tona, ne nuk mund të kemi institucione profesionale, të pavarura dhe që mund të japin kushte më të mira jete për njerëzit”, deklaroi Abazoviç.

Ky është Samiti i dytë për Ballkanin Perëndimor, që nën organizimin e “Ekonomist” po mbahet në temën “Promovimi i gjithëpërfshirjes dhe solidaritetit të Evropës”. Tema kyçe ishin përforcimi i stabilitetit dhe bashkëpunimi në rajon dhe prioritetet e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit në periudhën post-kovid.