Luftime të ashpra në qytete të Ukrainës! Zelenski: Pushtuesit rusë janë si terroristë të ISIS-it

TË FUNDIT

Pjesa më e madhe e qytetit lindor të Ukrainës Volnovaha është nën rrënoja pas luftimeve të ashpra mes trupave ukrainase dhe forcave separatiste të mbështetura nga Rusia. Nuk “shpëtuan” as objektet fetare.

Në këtë qytet është goditur një kishë, kurse autoritetet ukrainase kumtuan se në Mariupol cak i bombardimeve ishte një xhami.


Objekte banimi dhe rrugë janë shkatërruar nga zjarri i artilerisë, kurse forcat separatiste e pushtuan qytetin. Irina është banore e zonës. Ajo thotë se rreth ndërtesës së saj ka pasur përleshje në rrugë dhe për këtë arsye ajo ishte detyruar të shkojë në bodrum për t’u strehuar. Irina rrëfen se nuk ka arritur ta evakuojë me kohë edhe nënën e saj e cila ishte shtrirë në shtrat sepse nuk ka mundur të lëvizet. Nëna e saj, pasi ka pasur probleme me zemrën, ka ndërruar jetë para se të evakuohet.

“Në ishim në bodrum, e ata shëtisnin gjithkund dhe gjuanin me armë. Nuk mundeshim të dalim nga bodrumi më shumë se një ditë. Pastaj shkova te një ushtar dhe i thashë: djema, nëna ime është në shtrat atje lart, ajo është plake, e unë nuk mund të shkoj atje. Ata deshën të më ndihmojnë ta çojmë në bodrum, por kur shkuam, ajo kishte ndërruar jetë. Ishte vonë“, tha Irina, banore e Volnovahas.

Banorët e tjerë të qytetit, i cili nuk ka ujë dhe rrymë, kanë ndezur zjarr në oborret e tyre për t’u ngrohur.
Në një qytet tjetër, rusët e kanë rrëmbyer kryetarin.

“Rrëmbimi i kryetarit të Melitopolit nuk është vetëm krim ndaj një individi ose ndaj një shoqërie, por ndaj gjithë Ukrainës. Është një krim kundër demokracisë në përgjithësi. Ju siguroj: 100% e njerëzve të të gjitha vendeve demokratike do të dëgjojnë për këtë. Kurse veprimet e sulmuesit rusë do të krahasohen me aksionet e terroristëve të ISIS-it“, tha Vollodomir Zelenski.

Zelenski deklaroi se Rusia paguan “vrasës” nga Siria për të luftuar në Ukrainë, pasi Moska tha se luftëtarët nga një vend i shkatërruar nga lufta, do të mund t’u bashkëngjiten forcave të saj.

Nga ana tjetër, armata ruse pohon se e ka vënë jashtë funksionit qendrën kryesor të komunikimit të forcave të armatosura të Ukrainës në periferi të Kievit. Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, thotë se kanë shkatërruar edhe 3.500 objekte ushtarake ukrainase.

E derisa zhvillohen luftime të ashpra në shumë qytete të Ukrainës, liderët e vendeve-anëtare të BE-së e shqyrtojnë mundësinë ta dyfishojnë ndihmën ushtarake për ukrainasit. Presidenti amerikan, Xhozef Bajden porositi se NATO-ja me të gjitha forcat do ta mbrojë çdo pëllëmbë të vendeve-anëtare të Aleancës, por theksoi se trupat amerikane nuk do të hyjnë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë, pasi siç shtoi, kjo do të nënkuptonte fillim të Luftës së Tretë Botërore.