Ushtria ukrainase ka raportuar për luftime të ashpra pasi forcat ruse sulmuan disa qytete në zonën Donbas, në lindje të Ukrainës, në orët e hershme të së shtunës.
Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për Kievin po përqendrohet në mbrojtje ajrore dhe zyrtarë të shteteve perëndimore kanë paralajmëruar se Moska ka nevojë gjithnjë e më të madhe për armatim pasi po i pakësohen rezervat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të premten, në adresimin e tij të përnatshëm, se trupat ushtarake të Moskës e kanë sjellë “ferrin nën flamurin rus” në vendin e tij.
Ai e cilësoi “shumë të vështirë” situatën në disa zona të Ukrainës lindore ku luftimet ishin më të ashpra, veçanërisht në Bakhmut, Soledar dhe Kremina.
Zelenskiy e quajti Bakhmutin – një qytet që numëronte rreth 70 mijë banorë para fillimit të luftës – “një tjetër qytet të Donbasit që ushtria ruse e ka shndërruar në rrënojë të djegur”.
Ai tha se ka kohë që nuk ka “hapësirë rezidenciale që nuk është dëmtuar nga sulmet me raketa”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se Rusia po bëhet gjithnjë e më e varur në Teheranin zyrtar për ta vazhduar luftën në Ukrainë, përderisa vazhdon frika nga rreziku i përshkallëzimit në një konflikt më të gjerë tani që ka nisur muaji i dhjetë i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara, Barbara Woodward, tha të premten se përveç qindra dronëve iranianë që i janë dërguar Rusisë që nga gushti për “vrasjen e civilëve dhe sulmet ilegale me cak infrastrukturën civile” në Ukrainë, “Rusia tani po tenton të sigurojë armë të tjera, përfshirë këtu qindra raketa balistike”.
