Dikur ishin një parti, ndërsa tani të ndara në dy parti – Lëvizja Besa dhe Alternativa sërish do të bashkëpunojnë, por pse dhe sa thellë mund të shkojë ky bashkëpunim?
Besar Durmishi nga Lëvizja Besa thotë se synimi për ndërrimin e pushtetit i bashkon me cilindo subjekt politik që ka të njëjtin synim, ndërsa thekson se është herët të flitet për formën e bashkëpunimit.
“Të gjitha subjektet politike synojnë që në procesin zgjedhor që do të na vijë shumë shpejt, d.t.th në zgjedhjet qendrore të arrijnë të maksimizojnë trupin votues dhe planin apo platformën që e kanë të arrijnë ta implementojnë dhe ta realizojnë dhe e gjithë kjo arrihet me ardhjen në pushtet është normale që të ketë koalicione të tilla apo bisedime me të gjitha subjektet jo vetëm me Alternativën, por me të gjitha subjektet politike”, tha Besar Durmishi, Lëvizja Besa.
Nga Alternativa sot ishin të rezervuar për të folur për formën e bashkëpunimit. Thonë se do detajet do të jepen pas përfundimit të takimit të kryesisë partiake të caktuar për sonte. Paraprakisht Zëdhënësi i Alternativës, Orhan Murtezani për TV21 tha se në fillim do të bisedohet për bashkëpunim në Kuvend, ndërsa nuk e përjashtoi mundësinë për thellim të bashkëpunimit.
E meqë Alternativa e Besa po afrohen si një kamp opozitar, a është i gatshëm fraksioni i BDI-së, i njohur si grupi i zjarrit, të bashkëpunojë me ta? Blerim Bexheti thotë se është herët për të folur për bashkëpunim të këtillë, ndërsa thekson se lufta e tyre tani për tani mbetet brenda partisë për, siç thotë , ta nxjerrë më të mirën për mbështetësit e politikave të tyre.
“Gjithsesi se duke dëgjuar zërin e qytetarëve të jemi shumë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të veprojmë konform zërit të qytetarëve. Mendoj se është herët ne të prononcohemi për të ardhmen se si do të zhvillohen hapat e mëtutjeshëm, atyre u dëshiroj sukses nëse do të sjellin një vendim të tillë të bashkëpunojnë, është shumë legjitim nga ana e tyre. Gjithsesi ne dallojmë nga ekzekutivi, duam që t’i krijojmë më shumë hapësirë më të madhe zërit të qytetarëve, gjegjësisht elektoratit që na mbështet në kontinuitet”, deklaroi Blerim Bexheti, fraksioni brenda BDI-së.
Sipas informacioneve që TV21 ka siguruar nga burime brenda Alternativës thonë se përfundimet që do të dalin nga mbledhja e sotme do ta “dridhin” skenën politike.
