LSDM: Zgjedhja e Jovan Ilievskit për kryetar të Komisionit për politikë ndëshkuese është skandaloze

TË FUNDIT

Zgjedhja e prokurorit Jovan Ilievski për kryetar të Komisionit për barazimin e politikës ndëshkuese pranë Ministrisë së drejtësisë është skandaloze, sepse vjen me propozim të prokurorit publik – Marko Zvërlevski, reagon LSDM.

“Kjo është skandal në vetvete. Argumentet dhe provat nga projekti “E vërteta për Maqedoni” tregojnë se në çka janë të përfshirë Ilievski dhe Zvërlevski. Për këtë shkak edhe u formua Prokuroria publike speciale, e cila do të veprojë lidhur me krimet nga përmbajtja e materialit të përgjuar. Për këtë shkak, baxhanaku i Mijallkovit, Ilievski nuk ka asnjë të drejtë morale, e as kredibilitet, as për profesionin të cilin po e ushtron, e as për barazimin e politikës ndëshkuese”, tha zëdhënësi i LSDM, Petre Shilegov.

 Siç theksuan nga LSDM, “përzgjedhja familjare” me urdhër të Nikolla Gruevskit dhe të Sasho Mijalkovit, vjen pasi që veç më është zgjedhur Këshilli i komisionit në kohë kur opozita ishte jashtë parlamentit.”Kjo tregon se sa është e madhe frika nga ballafaqimi me përgjegjësinë për të gjithë atë që kjo qeveri bëri në periudhën e kaluar nëntëvjeçare. Gruevskit dhe Mijallkovit nuk do të mund t’ju ndihmojë asgjë, as baxhanaku, as kumbara”, deklaroi zëdhënësi i LSDM.

Për këtë çështje tentuam të kontaktojmë me kompetentët në Ministrinë e drejtësisë, mirëpo nuk arritëm të vendosim kontakt me asnjë nga personat të caktuar për komunikim me mediat. Koment nuk morëm as nga i emëruar Jovan Ilievski, i cili nuk iu përgjigj porosisë sonë. Pa përgjigje mbetëm edhe nga anëtarët e komisionit, të cilët po ashtu nuk ishin të qasshëm për bisedë.

Përndryshe, anëtarë të komisionit janë: Nexhat Elezi, Gordana Sajkovska, Tatjana Dukovksa, Ljubço Naumovski, Arta Billali dhe Gjorgji Sllamkovksi.  Në ligj parashihet se komisioni është trup i pavarur dhe këshillëdhënës, i cili punon në suaza të Ministrisë së Drejtësisë. Ai kujdeset për barazimin e politikës ndëshkuese në kumtimin e dënimeve përmes propozimit të kritereve për përcaktimi ne llojit dhe matjen e lartësisë së dënimit. Kryetari i komisionit ka mandate prej dy, ndërsa anëtarët janë me mandate prej 4 viteve, me të drejtë rizgjedhjeje. Mjetet për punën e komisionit sigurohen nga buxheti i Ministrisë për Drejtësi, kurse anëtarët kanë të drejtë të kompensimit mujor për punën e tyre në komision, në lartësi prej një bruto page mesatare.

Vesna Jaqimovska