Gordana Siljanovska Davkova nuk e ka mbështetjen e qytetarëve për shkak se VMRO-DPMNE nuk ka nënshkrime të vlefshme për të, pohojnë nga partia në pushtet LSDM. Ajo kandidaturën e saj e ka parashtruar me nënshkrimin e deputetëve e jo me nënshkrimin e qytetarëve, pohon zëdhënësja e partisë, Bogdanka Kuzeska.
“DPMNE nuk ka mbledhur nënshkrime të vlefshme, ligjore për kandidaten e tyre për presidente, Gordana Siljanovska Davkova. DPMNE-ja kandidaturën për Siljanovskën në KSHZ e ka parashtruar me nënshkrime deputetësh e jo me nënshkrime të qytetarëve. Dukshëm VMRO-DPMNE siç i kurdis anketat, dëshiron që t’i kurdis edhe nënshkrimet, e kur e kanë kuptuar se do të kontrollohet legaliteti i çdo nënshkrimi, nuk i kanë parashtruar”, tha Bodganka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE thonë se e gjithë kjo nuk është e vërtetë dhe se parashtrimi i kandidaturës është proces teknik.
“Parashtrimi i kandidaturës është proces teknik, profesoresha Siljanovska Davkova kishte dalje më të madhe nga qytetarët gjatë mbledhjes së nënshkrimeve për kandidaturën e saj dhe andaj ajo është dhimbja më e madhe për Pendarovskin dhe LSD-në. Mbështetja e qytetarëve është e qartë dhe pa dilema, ndërsa LSD dhe Pendarovski për këtë do të binden më 24 prill dhe 8 maj”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Nga sot edhe zyrtarisht ka përfunduar procesi i parashtrimit të kandidaturave për zgjedhjet presidenciale, ku u paraqitën 7 kandidatë edhe atë presidenti aktual Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkova, Arben Taravari, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Maksim Dimitrievski dhe Stevçe Jakimovski.
