LSDM: Pa ekipin e prokurores, marrëveshja s'vlen! Vajgëll: Të respektohen afatet!

TË FUNDIT

Pas arritjes së marrëveshjes për pakon zgjedhore, përfaqësuesit e katër partive politike janë takuar sot sërish në Klubin e Deputetëve.

Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski thotë se nuk do të ketë bisedime për çështjet tjera, përderisa nuk zgjidhet problemi me ekipin e prokurores speciale. “Sot jemi këtu në takim me 4  përfaqësuesit e  partive politike dhe bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur problemin, i cili ka të bëjë me prishjen e marrëveshjes së 15 qërshorit-2 korrikut, që është prishur si rezultat i vendimit të Këshillit të Prokurorëve Publik për të mos zgjedhur të gjithë ekipin e propozuar nga prokurorja speciale. Deri sa nuk ka zgjidhje për këtë problem, marrëveshja e 15 qershorit-2 korrikut për LSDM-në nuk është aktive”, tha Mançevski.

A shtoi se partia e tij nuk do të dorëzojë as listat e ministrave dhe zëvendësministrave, kurse sipas tij, vizita e eurokomisarit Johanes Han është dëshmi se faktori ndërkombëtar është i shqetësuar, sepse nuk respektohet marrëveshja.

Në takim me kryesinë e partisë opozitare, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Ivo Vajgëll deklaroi se zbatimi i marrëveshjes nuk duhet vënë në pikëpyetje. “Unë mendoj se vonesat e panevojshme mund të shkaktojnë një problem të madh për Maqedoninë. Nëse marrëveshja nuk do të zbatohet si e tërë, ky shtet mund të shihet si vend në krizë, dhe ne më të vërtetë besojmë se kriza është kapërcyer me marrëveshjen”, theksoi Vajgëll.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian zhvilloi takime me liderin e LSDM Zoran Zaev dhe zëvendëskryetaren Radmilla Sheqerinska, kurse më parë ai takoi edhe kryeministrin dhe prokuroren publike speciale.

Furkan Saliu