LSDM: Naim Ramuka organizoi arratisjen e Ramadanit – Mickoski: Prokuroria të veprojë, nëse nuk dëshmohen të ngrihet padi

TË FUNDIT

Pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në organizimin e arratisjes së Blerim Ramadanit është shefi i kufirit verior me Kosovën, Naim Ramuka, së bashku me një person tjetër të punësuar në komunën e Çairit. Këto janë vetëm një pjesë e detajeve që prezantoi deputeti i LSDM-së Mitko Trajçuleski, pasi dje kryeministri Mickoski i bëri thirrje partisë opozitare që të paraqesë dëshmi që socialdemokratët pohonin se i kanë. Trajçulevski thotë se informatat i kanë marrë nga një denoncues dhe kërkojnë që Prokuroria të fillojë hetime, MPB të publikojë pamjet nga pika kufitare dhe ministri Toshkovski të japë dorëheqje.

“Naim Ramuka e ka marrë Blerim Ramadanin me veturë Renault nga banesa ku ndodhej në arrest shtëpiak. Nga aty janë nisur drejt kufirit me Kosovën në Bllacë dhe në orën 18:40 kanë kaluar kufirin pa asnjë kontroll në korsinë e mallrave. Naim Ramuka, për rikujtim, është i njëjti shef i Toshkovskit që lejoi të kalojnë pa kontroll Gashin dhe krushqit në të njëjtin kufi”, tha Mitko Trajçulevski, LSDM.

Sipas Trajçulevskit, Ramadani e ka kaluar kufirin disa herë, fillimisht më 10 gusht për t’u kthyer në Maqedoni në të njëjtën ditë, e më pas më 14 gusht, ai përsëri ka kaluar pa probleme kufirin për në Kosovë. Ramuka e ka privatizuar kufirin për nevoja të veta politike me lejen e ministrit Toshkovski, thotë Trajçulevski.

“Në mbrëmjen e datës 10.08, në të njëjtën mënyrë, pa kontroll, Ramuka dhe Ramadani kalojnë kufirin për në Maqedoni dhe Ramadani kthehet në banesën ku duhej të ishte në arrest shtëpiak. Më 14 gusht  apo 4 ditë më vonë, pra në ditën kur Ramadani zyrtarisht largohet nga vendi përtej kufirit, e sjell një person tjetër. Për transport, kësaj radhe me veturë Volkswagen Passat me targa të Shkupit, përgjegjës është personi i punësuar në komunën e Çairit si udhëheqës”, deklaroi Trajçulevski.

Kryeministri Hristijan Mickoski detajet e prezantuara nga ana e LSADM-së i quajti gënjeshtra, ndërsa i bëri apel Prokurorisë që të hetojë dhe nëse nuk është kështu siç pohojnë nga LSDM, të ngrihet padi për njollosjen e reputacionit të kryeministrit.

“E inkurajoj PP për shkak se e thirrën të hyjë që sot. Unë pohoj se atë që e tha është gënjeshtër. Pasi do të konstatojë Prokuroria në krye me prokurorin publik që u zgjodh nga shumica e LSDM-së dhe BDI-së, e inkurajoj kryesinë e MPB-së këtë punë ta sqarojë përmes gjykatave, me padi për shpifje dhe njollosjen e reputacionit në publik”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Nga BDI kërkojnë përgjegjësi nga MPB dhe Prokuroria për, siç thonë, rolin e tyre në lirimin e Ramadanit.

“Me postime lavdëruese në profilet e tyre në Facebook, xhentëllmeni dhe ndërtuesi sipërmarrës Izet Mexhiti dhe doktor Arben Taravari, nxituan ti marrin meritat për “lirimin” e ish ushtarit të UÇK-së. MPB dhe Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje dhe t’i mban të përgjegjshëm për rolin e tyre në “lirimin” e Ramadanit! A pajtohen në veçanti Mexhiti, por edhe Taravari, Kasami, Gashi, Qoku, me VMRO-DPMNE që gjykatësi Pajazit Pajaziti është përgjegjës për ikjen? A po konsiderojnë që përgjegjësi ka MPB si në gjithë botën?”, tha BDI.

Rasti me Blerim Ramadanin kthehet përsëri në gjykim pasi Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Gjykatës Penale e cila siç thuhet, nuk ka dhënë arsye relevante për vendimin e sjellë dhe thonë se i njëjti ishte i paqartë dhe i pakuptueshëm. Përndryshe, Gjykata Penale solli vendim se nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim.