Me moton “Nuk keni justifikime, rrisni rrogat”, LSDM organizoi protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke kërkuar rritjen rrogave për mësimdhënësit.
Njëri prej mësimdhënësve tha vetëm se po kërkojnë atë që u takon me ligj, teksa shtoi se kanë pasur edhe presione.
“Edhe pse qeveria aktuale u përpoq t’u bënte presion drejtorëve të shkollave që të mos merrnin pjesë në këtë tubim, ja ku jemi me zë të lartë dhe krenarë që të ngremë zërin për paga më të larta për mësuesit. Nga ky shtator, pagat e punëtorëve të arsimit duhej të rriteshin për 12,15%, pra mesatarisht për 4.300 denarë”, tha Petre Trajkovski, mësimdhënës.
Ministrja e arsimit Vesna Janevska, thotë se janë në anën e mësimdhënësve por rritja e pagave është planifikuar për vitin 2025. Ajo shtoi se protesta e mësimdhënësve organizohet nga një parti që kur ishte në pushtet nuk siguronte fonde as për pagesën e pagave e aq më pak për rritjen e tyre.
“Është e pavend, më lejoni të përdor një fjalë, është e pakuptimtë, vetëm pas dy muajsh qeveria që nuk dha para për të paguar rrogat, të kërkojë rritje! Ne kemi siguruar fonde të mëdha për të paguar pagat e tyre. Prandaj, mendoj se ky është manipulimi përfundimtar i mësimdhënësve që deri para dy muajsh i kanë udhëhequr”, deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe akuzoi Qeverinë se nuk ka interes për rritjen e pagave në arsim . Ai shton se nëse LSDM-ja siguronte mjete për rritje të pagave gjatë krizave më të mëdha, të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe kjo Qeveri.
“Ja pra kishte ribalanc të buxhetit, mund të siguronin mjete të mjaftueshme, siguruan mjete për punë të tjera, për ministritë e reja, për punonjësit e rinj në ato ministri. Do të thotë justifikimi është që nuk mund t’i gjejnë ato të holla, nëse duan mund t’i gjejnë ato të holla”, tha Venko Filipçe, LSDM.
Sindikata e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë, ashtu siç njoftoi dje, nuk mori pjese në protestë për shkak se ajo u organizuara nga një parti politike.
