LSDM kërkon seancë mbikëqyrëse për ligjin për gjuhën maqedonase! Kostadinovska-Stojçevska: Për pushtetin gjuha maqedonase duhet të jetë prioritet

TË FUNDIT

LSDM opozitare kërkoi nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, të mundësojë mbajtjen e një seance mbikëqyrëse për Ligjin për Përdorimin e gjuhës maqedonase. Deputetja Bisera Kostadinovska Stojçevska akuzoi se pushteti për dy vite nuk ka zbatuar asnjë dispozitë të këtij ligji, pavarësisht kërkesave të opozitës. Ky reagim vjen pasi ditëve të fundit kryetarja e Këshillit për gjuhën maqedonase, Simona Gruevska Maxhoska, dha dorëheqje duke akuzuar se ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, e ka injoruar punën e Këshillit për Mbrojtjen e gjuhës maqedonase.

“Gjuha maqedonase nuk duhet të jetë temë që përmendet vetëm në fjalime solemne dhe adresime me raste të veçanta, por duhet të jetë ndër prioritetet e para në politikat kulturore dhe shtetërore. Prandaj sot paraqesim urgjencë deri te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, që t’i urdhërojë trupit amë të punës mbajtjen e seancës mbikëqyrëse për Ligjin për Përdorimin e gjuhës maqedonase”, tha Bisera Kostadinovska Stojçevska.