U bë një javë që kur u hap debati i konvokimit të seancës plenare, por ende nuk ka një vendim nga i pari i Kuvendit, Talat Xhaferi se nëse iniciativa është në rregull dhe a do ta mbledh kuvendin. Iniciatore e konvokimit të Kuvendit ishte LSDM. Nga kjo parti nuk heqin dorë nga iniciativa, ndërkaq njoftuan se për të njëjtën kanë biseduar edhe Bashkimin Demokratik për Integrim.
“Personalisht, unë dhe kryetari Zaev kemi biseduar edhe me përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim. Ne atë iniciativë në tërësi e kemi mbështetur, duke u udhëhequr jo nga qëllime të tjera, por duke u udhëhequr nga parime demokratike për funksionimin e Kuvendit në situatën e këtillë”, tha Lupço Nikollovski. Sekretar i P. i LSDM-së.
Pyetëm në BDI se cili është qëndrimi i tyre për konvokimin e seancës, pasi tashmë janë të informuar drejtpërdrejtë nga LSDM-ja. Nga atje tash për tash pa përgjigje.
Nga Aleanca për Shqiptarët deklaruan se për çështjen e seancës do të kontaktojnë edhe ekspertë.
“Ne do të kërkojmë mendim të ekspertëve që të japin sqarim definitiv për këtë. Pasi të japin sqarim definitiv, jemi të gatshëm të ulemi dhe të sjellim vendim të përbashkët për të mirën e qytetarëve”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Por, konvokimi i seancës ngjalli edhe debatin, “Se kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare?”. Edhe pse takimi i liderëve do të mbahet nga mesi i majit, nga LSDM sërish vlerësojnë se për zgjedhjet është herët të flitet.
Nga VMRO-DPMNE-ja nuk shprehen qartë se a janë apo jo për konvokim të seancës së Kuvendit, ndërkaq thonë se është e pakëndshme të flitet për zgjedhje në këtë periudhë.
“Të flitet për zgjedhje, për datë të zgjedhjeve, fillimisht mendoj se është jo dinjitoze dhe jonjerëzore, dhe më vjen gjithashtu e pakëndshme të diskutoj për këtë temë”, tha Aleksandar Kiracovski, VMRO-DPMNE.
Iniciativa për thirrjen e seancës urgjente u nënshkrua nga 35 deputetë të LSDM-së dhe koalicionit, deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja, të Alternativës, të PDSH-së, të Lëvizjes BESA dhe të Aleancës për Shqiptarët. Seanca ka dy qëllime: vërtetim i vendimit të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nga presidenti Stevo Pendarovski më 18 mars dhe vendimit të vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme më 16 prill.
Ekspertët kanë vlerësuar se nuk përbën pengesë që Kuvendi të thirret dhe të shpërbëhet sërish.
