Rritje të pagës minimale për 10% dhe të pensionit për 6-7% do të ketë në vitin 2023, paralajmërojnë nga LSDM. Sipas kësaj partie viti 2022 ishte vit i sfidave dhe ballafaqimit me krizën ekonomikë, ndërsa 2023-ta do të jetë vit i ripërtërirës së ekonomisë së vendit.
“Tashmë në mars do të ketë një rritje të pensioneve nga 6-7% për të gjithë 330 mijë pensionistët. Janë krijuar kushte për rritje të re të pagës minimale për 10%, e cila do të jetë jo më pak se 20.000 denarë. Kjo do të kontribuojë në harmonizimin, pra rritjen e pagave në të gjithë sektorët. Në buxhetin për vitin 2023 janë paraparë 800 milionë euro për investime kapitale, të cilat do të stimulojnë rritjen ekonomike, e cila sipas vlerësimeve të BERZH-it do të jetë rreth 2.3 % këtë vit”- deklaroi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDMS-së.
Reaguan nga VMRO DPMNE duke thënë se LSDM-së si duket ende nuk i ka kaluar euforia nga festat e Vitit të Ri. Nga partia e Mickoksit shtojnë se pikërisht për shkak të politikave të këqija të LSDM-së, standardi i qytetarëve ka rënë në nivelin më të ulët.
“Pagat dhe pensionet e kanë humbur garën me çmimet. Ajo që mund të blihej me 1000 denarë, sot nuk mund të blihet me 2000 mijë. Maqedonia po përballet me inflacionin më të lartë në rajon dhe një nga më të lartët në Evropë. Në botë jemi ndër vendet e para për sa i përket rritjes së çmimeve të ushqimeve. Kjo do të thotë se qytetarët tanë më shpejtë dhe më shumë varfërohen në krahasim me të tjerët.”- thonë nga VMRO-DPMNE.
Sa i përket investimeve të jashtme, nga VMRO-DPMNE thonë se jemi të fundit në rajon në krahasim me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë të cilët kanë 2 deri 3 herë më shumë investitorë të huaj. Edhe me ekonominë e vendit, Maqedonia sipas raportit të Bankës Botërore, vitin 2022 e përfundoi me rritjen më të dobët të bruto prodhimit vendor.
