LSDM-ja filloi fushatën për zgjedhjet e 8 majit/ Kovaçevski: Premtoi fitore të madhe

TË FUNDIT

Një ditë pasi lëshoi qeverinë, ish kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se ndjehet i motivuar për fitore.

Na thoni si ndjeheni sot?
“Unë sot ndihem shumë i motivuar dhe i lumtur që mundem kështu bashkë me qytetarët, anëtarë të partisë dhe simpatizuesit, të fillojmë një fushatë për fitore të madhe për Maqedoninë europiane.”- tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Lideri i socialdemokratëve në takimin me anëtarët e LSDM-së dhe simpatizuesit premtoi një “Maqedoni europiane”, me çka siguroi se do të dalin me një fitore pas 8 majit – kur pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
“Jemi të gatshëm për fitore të re, saktë 99 ditë deri në fitoren e LSDM-së dhe koalicionit pro-evropian në zgjedhje. Fitore, fitore…”- pohoi Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.

Por kështu nuk mendon VMRO-DPMNE. Nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se LSDM e ka të sigurt humbjen dhe se pas zgjedhjeve duhet t’ia vënë çelësin partisë.

“Kovaçevski me vetëdije u nënçmua edhe vetë edhe partinë, para së gjithash shtetin. LSDM e ka shkatërruar vendin, nuk kemi më shtet. Kovaçevski është personi që duhet t’ia vendos çelësin derës së LSDM-së mbrëmjen e 8 majit.”- tha Dragan Kovaçki – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Partitë politike kanë filluar fushatën zgjedhore, mirëpo ende nuk ka asgjë konkrete se kush me kë do të bashkëpunojë. Kovaçevski thotë se qytetarët në zgjedhje do të mund të zgjedhin nëse do të votojnë për koalicionin e përbërë nga fronti europian, apo nga ana tjetër siç thotë, koalicionin i cili është kundër anëtarësimit në BE.