LSDM e gatshme të bisedojë edhe për data të tjera, Zaev shpjegon për TV21 afatet e mundshme për zgjedhje, përveç 14 qershorit

TË FUNDIT

I vetmi i cili hapur ka propozuar 14 qershorin si datë për zgjedhje është kreu i LSDM-së Zoran Zaev, mendim të cilin e ka mbështetur edhe partneri i tij Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa. Krerët e partive të tjera nuk japin një datë konkrete se kur do të dëshironin të mbaheshin zgjedhjet. Janë marrë vesh që për këtë të dëgjojnë mendimin e ekspertëve të shëndetësisë.

“Besoj që në fillimin e javës së ardhshme do të mund t’u kumtojmë qytetarëve kur do të projektohen datat për zgjedhje që të mund të shkojmë në zgjedhje dhe hyjmë në përgatitje të zgjedhjeve”, tha Zoran Zaev, kryetar LSDM.

I kontaktuar sot nga TV21, Zaev pohon se krahas 14 qershorit LSDM është e gatshme të bisedojë edhe për datë të tjera dhe të arrihet marrëveshje, duke respektuar edhe afatet. Por cilat janë opsionet tjera të cilat sipërfaqësisht dje i përmendi Zaev?

Zoran Zaev, kryetar LSDM:

“Për opsionet e tjera folëm në shpjegimin e pasojave juridike nga përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme. Nëse jepet edhe një 30 ditësh me gjendje të jashtëzakonshme, deri më 17 qershor atëherë zgjedhjet do të jenë më 7 korrik. Nëse nuk ka vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme dhe përfundon më 17 maj, atëherë zgjedhjet do të jenë më 8 qershor. Nëse gjendja e jashtëzakonshme zgjatet edhe 2 javë, atëherë zgjedhjet do të jenë më 21 qershor. Nëse gjendja e jashtëzakonshme zgjatet edhe për një javë, atëherë zgjedhjet do të jenë më 14 qershor. Këtë e konstatuam duke folur për atë se cilat janë opsionet Kushtetuese dhe ligjore për zgjedhje”.

Opozitarët VMRO-DPMNE pa qëndrim konkret. Kreu Hristijan Mickoski po pret që Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të dalë me qëndrim se kur është më i vogël rreziku për përhapje të virusit dhe koha që i duhet KSHZ-së të përgatitet për zgjedhje. Andaj thotë se nuk dëshiron të licitojë me data.

“Unë nuk do të licitoj me data, nëse do të jetë 14-ti, 21-shi, 28-ti, data 5 ose ndonjë tjetër. Data kur këto çështje do të reduktohen në minimum dhe do të garantojmë shëndetin e qytetarëve, për të shpëtuar më shumë jetë, VMRO-DPMNE do të dalë në zgjedhje dhe do të fitojë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Por nëse Mickoski nuk liciton me data, duke u shprehur se mbi të gjitha vlerëson shëndetin e qytetarëve, ai jo më larg se para një jave dha propozimin e tij për zgjedhje.

“Ja teorikisht të flasim, nëse ka ndërprerje të gjendjes së jashtëzakonshme, atëherë diku nga gjysma e korrikut përafërsisht, është koha më e shpejtë që mund të krijohen kushte që ne të mund të kemi përballje zgjedhore”, tha Hristijan Mickoski, kryetar VMRO-DPMNE.

Datë konkrete nuk dhanë as partnerët e koalicionit Aleanca për Shqiptarët-Alternativa, ndërsa Ziadin Sela vetëm ri përsëriti pohimet e ekspertëve se përhapja e virusit është më e ulët në temperatura të larta. Këto dy parti parimisht janë shprehur për korrikun si periudhë e mundshme për zgjedhje. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti i pyetur nëse mund të mbahen zgjedhje brenda qershorit, tha se vlerësimet rreth kësaj duhet të merren nga profesionistët e shëndetësisë. Kreu i Besës Bilall Kasami ndërkaq dje rikujto se Maqedonia e Veriut s’ka se si tu ikë zgjedhjeve më larg se sa dhjetori, atëherë kur mbushen plot 4 vite nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit parlamentare.