Lorik Cana flet për kthimin pas 15 vjetësh në Sunderland

TË FUNDIT

Lorik Cana bëri një kthim emocional në “Stadium of Light” të Sunderlandit. Ai ishte në tribuna në barazimin 1:1 të Sunderlandit kundër Aston Villas, të dielën.

Cana pas përfundimit të pjesës së parë doli në fushë për të përshëndetur tifozët e pranishëm në tribuna.

“Ishte vërtetë e veçantë. Të kthehem këtu pas 15 vitesh, është e veçantë, veçanërisht pasi u ktheva kur klubi është në Premier League, ku e meriton”, ka thënë Cana në një intervistë për faqen e klubit anglez.

Shkrimi për vizitën që Cana ia bëri të dielën Sunderlandit, u publikua të mërkurën.

Ashtu si kapiteni aktual i Sunderlandit, Granit Xhaka, edhe Lorik Canës i ishte dhënë shiriti i kapitenit me të mbërritur në vitin 2009. Për Sunderlandin luajti 35 ndeshje. 

Ai ka bërë karrierë edhe te Paris Saint-Germaini, Marseille, Galatasaray, Lazio dhe Nantes.

Për Shqipërinë luajti 92 ndeshje.