Dy zjarre me përmasa të mëdha përfshinë mbrëmë fshatin Cerovë, Merovë dhe pjesën e quajtur Karpallëk në rajonin e Tetovës.
Zjarrfikësit e Tetovës, Shkupit dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim deri në orët e mëngjesit kanë luftuar me flakët, ndërsa një zjarrfikës i Tetovës përfundoi në spital.
“Mbrëmë ishte një zjarr i përmasave pak më të gjëra në vendin e quajtur Karpallëk. Ajo pjesë u dogj komplet! Ne mundëm të shpëtojmë një bletar, kosheret e bletëve dhe repetitorin, në këtë shuarjen e zjarreve morëm pjesë edhe brigada e Shkupit, ku morëm pjesë në pjesën e poshtme që zjarri mos rrezikon automjetet që qarkullonin në rrugën Shkup-Tetovë. Kemi një zjarrfikës që mbrëmë e kishim në spital, me helmim, duhet se ne kohë pas kohe rrezikohemi me helmime dhe gjendja e tij është stabile për momentin”, tha Avni Ahmeti, komandant i NjTKZ – Tetovë.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se zjarr aktiv nuk ka, ndërsa ata janë në gjendje gatishmërie për të intervenuar.
“Mbrëmë situata ishte pak shqetësuese por nuk ka pas rrezikim të vendbanimeve bashke me komandantin Avininë kemi qenë deri në mëngjes deri sa u lokalizua zjarri dhe u bë një punë shumë e mirë gjatë gjithë sezonit të verës.
-Ka zjarre aktive?
Momentalisht nuk ka zjarre aktive”, tha Muhamet Ali, drejtor i QMK-së.
Pjesa e Dërvenit të Tetovës këtë verë ka qenë vatër e zjarreve! Autoritete të komunës së Zhelinës shpesh kanë deklaruar se zjarret janë të qëllimshme, por deri më tani asnjë person në këtë pjesë nuk është arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme.