Kjo video brenda gjinekologjisë së Tetovës gjatë ditës së djeshme shkoi LIVE në Tik-Tok, duke kërcënuar privatësinë e pacientëve. Videon e ka bërë anesteziologu i cili ka qenë në orar të punës.
TV21 menjëherë kontaktoi mjekun që shfaqet në video por, nuk morëm përgjigje. Më pas pyetëm edhe drejtorin Pëllumb Vela i cili tha se është duke shkuar në polici për ta denoncojë rastin.
Pak minuta para mesnatës policia e arrestoi mjekun V.D.
“Rreth orës 23:40 minuta, pjesëtarë të SPB kanë privuar nga liria personin 43 vjeç nga fshati Odër me iniciale V.D, i cili është raportuar nga drejtori i spitalit klinik të Tetovës P.V. se i njëjti gjatë orarit të punës në sallën e lindjeve në repartin e gjinekologjisë në spitalin klinik të Tetovës ka filmuar edhe ka lëshuar video drejtpërdrejtë gjatë marrjes së masave nga personeli mjekësor”, tha Fatmir Rexhepi – zëdhënës i SPB-Tetovë.
Në orët pasdites së sotme ministri shëndetësisë Fatmir Mexhiti, bashkë me drejtorin e spitalit Pëllumb Vela dolën para mediave për të treguar se mjeku është përjashtuar nga puna.
“Shprehi keqardhje për rastin e mbrëmshme në spitalin e Tetovës. Dua të ju informoj se unë si drejtor rastin e kam denoncuar në stacionin policor. Në bisedë me ministrin unë dhe drejtori organizativ kemi sjell vendim që këtij person t’i ndërpritet marrëdhënia e punës, pasi që janë bërë disa shkelje në orarin e punës”, deklaroi Pëllumb Vela drejtor i Spitalit.
“Prej mbrëmë unë me drejtorin pëllumb Vela kemi kur kemi kuptuar për rastin, kemi qen në koordinim të vazhdueshëm. Më ka kërkuar edhe krye shefi policisë Tetovës, më kanë treguar se mjeku është arrestuar në atë moment. Ndjej shumë keqardhje për këtë raste dhe raste të tilla edhe nuk do të lejomë që të përsëritet”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
-Çfarë masa do të marr ministria, që mos të përsëritet?
Mjekët janë të vetëdijshëm, ka ligje.
-Gazetari: Por nuk janë?
“Nuk janë por do të sanksionohen. Ne nuk mund ti parashikojmë, ne do të jemi këtu. Do t’i sanksionojmë në mënyrën më rigoroze të mundshme”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
Në staciononin policor për të dhënë dëshmi janë ftuar edhe persona të tjerë që janë parë në video.
