“Rri në shtëpi, respekto distancën dhe mbaj maska” janë thirrjet që bëhen nga autoritetet për të luftuar virusin korona. Të njëjtat zbatohen edhe në shtetet tjera, por dje nuk u repsketuan në Strugë. Pa maska dhe pa mbajtur distancë, qindra besimtarë ortodoksë morën pjesë në liturgjinë për Shën Gjergj.
Liturgjia u organizua nga Manastiri e Shën Jovan Bigorskit. Njoftimi ishte se ceremonia do të mbahet pa besimtarë, por brenda këtij njoftimi ka një kontradiksion.
Manastiri i Shën Jovan Bigorskit:
“Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme me pandeminë e virusit korona dhe në përputhje me masat parandaluese të shtetit dhe autoriteteve shëndetësore, këtë herë liturgjia do të realizohet nga kleriku lokal dhe i manastirit, pa praninë e besimtarëve. Pjesëmarrësit do t’u përmbahen masave të nevojshme, kurse popullata lokale do të mund ta ndjekë atë nga trotuaret e rrugëve nga ku do të kalojë ajo, duke e mbajtur distancën e nevojshme”.
Në terren situata eskaloi dhe kjo ngjalli reagime.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski tha se është i zhgënjyer thellë dhe ftoi të gjithë institucionet të ndërmarrin gjithçka.
“Unë prita që bashkësitë fetare do të kenë një ndjenjë më të theksuar për shëndetin dhe e qytetarëve dhe jam zhgënjyer thellë si person për atë çfarë ndodhi dje në Strugë. Ndërkaq si Qeveri i ftoj të gjithë organet kompetente të ndërmarrin gjithçka që duhet të ndëmerret”, tha Oliver Spasovski, Kryeministër teknik
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe kërkoi sanksionim të shkelësve.
“Institucionet duhet t’i sanksionojnë shkelësit dhe më mirë të veprojnë në të ardhmen që të parandalohen shkelje të tilla. Të gjitha masat e deritashme dhanë rezultat, stabilizohej epidemia dhe ulja e numri të të infektuarve ishte rezultat i këtyre masave ku numër i madh i qytetarëve i respektojnë kurse me këto raste shkelen në mënyrë flagrante”, tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Se sa respektohen masat, duhet të kontrollojë Ministria e Brendshme. Ministri Naqe Çulev tha se do të hetohet nëse ka pasur lëshime nga ana e nëpunësve policorë.
“Do të shohim se a ka pasur lëshime nga nëpunësit policorë në Strugë dhe në Sektorin për Punë të Brendshme në Ohër. Kishim raste të tilla edhe në Hasanbeg dhe Gjevgjeli, kështu që nuk është rasti i parë. në përgjithësi qytetarët i respektojnë masat, megjithatë bëhet fjalë për një ngjarje të rëndësishme fetare që dukshëm nuk është realizuar mirë”, tha Naqe Çulev, Ministër i Punëve të Brendshme.
Nga MPB-ja pa detaje edhe sot, kurse ndaj rastit do të veprojë Prokuroria. Janë ndërmarrë aktivitetet për të identifikuar shkelësit.
Prokuroria Publike:
“Në drejtim të verifikimit të fakteve në lëndë, Prokuroria e Strugës do të dorëzojë kërkesë te Reparti për Punë të Brendshme në Strugë për verifikim të ngjarjes dhe zbulimin e kryerësve eventual të veprës penale. Gjithashtu, është kërkuar që të identifikohen dhe të thirren organizatorët e litugjisë që të verifikohet nëse ngjarja është paralajmëruar në rregull, kush duhej të merrte pjesë, çfarë leje kanë marrë dhe a është vepruar sipas të njëjtës”.
Do të hetohet gjithashtu nëse ky manastir që ka organizuar ngjarjen, ka mbajtur llogari që të mos grumbullohen qytetarë, dhe nëse do të ndodhë një gjë e tillë, e njëjta të jetë me radar ku do të respektoheshin masat qeveritare për parandalimin e Covid-19. Për dëshminë materiale do të sigurohen të gjitha videot nga objektet përskaj së cilave kanë parakaluar klerikët, ndërkaq ngjarja ka shkuar drejtpërdrejt edhe në faqen e Facebook-ut të manastirit Shën Jovan Bigorski.
