Listat e kandidatëve si “odë burrash”! Partitë anashkalojnë kandidimin e grave për kryetare komune

TË FUNDIT

Prej 312 kandidatëve për kryetar komunash dhe 575 bartës listash për këshilltarë të komunave dhe Qytetit të Shkupit kandidatet femra mund të numërohen në gishta.

Aktivistja për barazi gjinore Liridona Beqiri thotë se partitë e përvetësojnë çështjen e barazisë gjinore për t’i shndërruar në kapital politik, por sipas saj, asnjëra nga partitë nuk e plotëson kushtin e barazisë gjinore në përfaqësim në pushtetin lokal.

“Në një listë ku garojnë vetëm burra, nuk kemi të bëjmë me zgjedhje por kemi të bëjmë me miratim monopoli, nuk është hera e parë që ndodh te ne që nuk po shohim emra grash jo vetëm si kandidate për kryetare komunash, por as bartëse listash në këshillat komunal. I shohim vetëm në atë sistemin ‘sanduiç’ që çdo e treta grua që është bërë industri klishe e prodhimit jo demokratik në strukturat partiake dhe kjo gjë duhet të ngrit alarmin për vetëdijesimin e grave në pozicionimin e denjë të tyre organet partiake sepse figura e gruas është shumë e margjinalizuar dhe është një diskriminim sistematik që iu bëhet grave në jetën publike”, tha Liridona Beqiri.

Tek dy blloqet shqiptare, si në radhët e AKI-së ashtu edhe nga VLEN, nuk ka asnjë kandidate femër për kryetare komune. Një nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, që kandidon për Çairin, i pyetur për këtë, tha se puna e kryetarit të komunës më shumë shihet si “haus majstor”.

“Nuk është vetëm në VLEN, d.m.th. është edhe te partitë maqedonase, edhe te partitë opozitare. Si duket më tepër çështja e kryetarit të komunës më tepër shihet menaxher, mos të them si një “haus majstor” i komunës, që ka të bëjë më tepër me punë infrastrukturore. Ndoshta ka arsye, po kjo është prej viteve 90-ta deri më tash shumë pak është prezenca për kandidate për kryetare, ndërsa tek këshillat është përfshirja që është çdo e treta. Mendoj që numri është edhe më i madh tek ne prezent janë femrat diku 40%”, deklaroi Izet Mexhiti.

Nga koalicioni AKI rikujtojnë se dikur e kanë pasur Teuta Arifin kryetare të Tetovës, por edhe bartëse të listës së këshilltarëve Arta Memeti në Këshillin e Kumanovës. Por nënkryetar i integristëve Arbër Ademi e pranon se kjo s’mjafton.

“Tash në këto zgjedhje është kështu, por ju e dini se BDI ka qenë pishtare e mundësive të barabarta duke pasur edhe kryetare komune urbane grua edhe bartëse të listave për këshilltarë, por në këto zgjedhje kjo është gjendja, fatkeqësisht! Megjithëse edhe tani ka shembuj pozitiv që është lista e këshilltarëve në qytetin e Kumanovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim”, u shpreh Arbër Ademi.

Nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së por edhe partive të tjera, kandidatet gra apo vajza janë prezente vetëm në disa komuna periferike, me përjashtim të kandidates socialdemokrate për Shkupin, Kaja Shukova. Sipas ligjit, në listat për këshilltar komunal dhe në listat për deputetë çdo i treti kandidat duhet të jetë grua, ndërsa në kandidaturat për kryetar komunash nuk ka rregullim ligjor.