Lirohet Albin Kurti!

TË FUNDIT

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar para pak çastesh lirimin e Albin Kurtit. “Presioni qytetar liroi Albin Kurtin. Presioni qytetar do ta ndal “Zajednicën””, thuhet në njoftimin e VV-së.

Lirimi pasoi disa orë pas arrestimit të Kurtit në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, përderisa së bashku me deputetin Glauk Konjufca dhe aktivistë të Lëvizjes Vetvendosje kthehej nga aktivitetet të zhvilluara në Shkup. Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se policia ka arrestuar Ylli Hoxhën, Premton Ibërdemajn dhe Uran Hasanin.

Pas thirrjes të Vetvendosjes për të dalë në protesta, pasuan demonstrata para stacionit policor në Prishtinë, të përcjellura me dhunë dhe incidente. Policia hodhi gaz lotsjellës, përderisa në anën tjetër protestuesit gjuanin me gjësende të forta.Protestuesit nga disa anë provuan të sulmojnë stacionin e policisë të rrethuar nga njësitet speciale. Raportohet se gurë nga protestuesit janë gjuajtur edhe në ndërtesën në të cilën ndodhet selia qendrore e PDK-së. Në përleshje ka pasur të lënduar, edhe mes policisë edhe mes demonstruesve. Akoma nuk ka informata më të hollësishme për rastet e lëndimit.

Deputeti Konjufca, i cili pas ndaljes nga policia u la i lirë, e quajti rastin kidnapim. “Ne kërkojmë me ngulm lirimin e pakusht të Albin Kurtit dhe paralajmërojmë Isa Mustafën për kidnapimin e tij. Unë isha me të, është marrë nga policia pa asnjë dokument”, tha Konjufca. “Kur deputetin e kidnapojnë, tentimi është për të frikësuar kundërshtarët politikë, posaçërisht ata që janë kundër projekteve të ndarjes së Kosovës”, reagoi edhe kryebashkiaku i Prishtinës Shpend Ahmeti në Facebook. Edhe kreu i VV’së, Visar Ymeri, e ka quajtur “kidnapim” arrestimin e Albin Kurtit.

Reaguan edhe partitë tjera opozitare. Deputetja e AAK’së, Donika Kadaj Bujupi ka thënë se qeveria është përgjegjëse për eskalimin e situatës.“Në një vend ku nuk lejohet opozita të hyjë në Kuvend dhe të mbajë një konferencë dhe arreston deputetë, atëherë ai vend i është futur diktaturës”, ka thënë Kadaj Bujupi. Edhe deputetë të Nismës i bënë thirrje kryeministrit të reflektojë ndaj protestave të opozitës.

Sipas zyrës për informim të Policisë së Kosovës, zëdhënësi Baki Kelani ka konfirmuar se në orët e mbrëmjes në hyrje të Prishtinës, njësitet kompetente kanë ndaluar Albin Kurtin dhe të njëjtin e kanë dërguar në stacionin policor për intervistim.

Kelani bëri të ditur se të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren me konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent.

Ndërsa, për arsyet e ndalimit të Kurtit, është njoftuar se ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës nga ana e tij në sallën e Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.