Gostivari duket se është para një zgjidhje të vështirë, pasi tre kandidatët e saj, intensivisht po zhvillojnë fushatë zgjedhore dhe dalin me projekte gjithnjë dhe më madhore.
Ishte dje, kandidati i AKI-së, Valbon Limani i cili mes projekteve të tjera, premtoi edhe 30 mijë denarë në vit për gjyshërit pensionistë të cilët kujdesen për nipërit dhe mbesat e tyre.
“Mirënjohja ndaj tyre është e përjetshme dhe e pafundme, por ne kemi menduar që me të marrë mandatin, të gjithë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat, sepse fëmijët e tyre janë në punë, do të marrin një shumë simbolike prej 30 mijë denarësh në vit nga Komuna. Le të jetë Gostivari vendi i parë që bëhet model i këtij projekti, duke uruar që shumë të tjerë ta ndjekin”, tha Limani.
Ndërkaq kandidati i pavarur, Visar Ademi fokusin më të madh e ka te pastërtia e qytetit, pasi siç shprehet ai, është prioritet për një jetë më të shëndetshme.
“Do të investojmë të paktën 7 kamionë të rinj për Gostivarin ♻️Gostivari prodhon 10 ton mbeturina në ditë, sot mblidhet vetëm 1 ton ⚠️ 9 tonë përfundojnë në deponi të egra që na helmojnë çdo ditë”, thotë Ademi.
Ndërkaq kandidati i VLEN-it, Sebaedin Dauti ka shpalosur shtatë arsyet apo projektet të cilat sipas tij janë arsye se pse gostivarasit duhet ta votojnë atë.
“Infrastrukturë moderne dhe transport i qëndrueshëm
-Ujësjellës, kanalizim dhe menaxhim i ujërave
-Pastërti dhe mjedis i gjelbër
-Arsim cilësor dhe rini inovative
-Shëndetësi e përmirësuar dhe mirëqenie sociale
-Zhvillim ekonomik dhe punësim
-Qeverisje transparente, pa korrupsion”, shpalos Dauti.