Limani mendon se do ta mbështesin të gjitha partitë! Rexhepi: Do të kemi kandidatin tonë për Kërçovën

TË FUNDIT

Fatmir Limani ka dhënë dorëheqje nga posti zëvendësdrejtor në  SH.A. “Elektrana e Maqedonisë së Veriut”. Këtë ai e tha mbrëmë në Click Plus, ndërsa para disa ditëve shpalli kandidaturën për kryetar të Komunës së Kërçovës, për zgjedhjet lokale 2021.

Ndonëse gjatë gjithë kohës ka qenë në krahë të BDI-së, ai thotë se në zgjedhje do të kandidojë si i pavarur, ndërsa është i bindur se do të përkrahet nga të gjitha subjektet politike në Kërçovë.

 “Jam i bindur thellë, që edhe vetë strukturat e Aleancës edhe të Alternativës do të prononcohen pro kandidaturës sime. Unë mendoj se e para duhet të japin arsyen pse nuk duhet të jem unë? Nëse i japin përgjigje pyetjes pse nuk duhet të jem unë, atëherë do të jetë logjike që ata të dalin me kandidaturat e tyre”, tha Fatmir Limani.

Por Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA tha se ata do të kenë kandidatin e vet, jo vetëm në Kërçovë, por në të gjitha komunat shqiptare.

 “Koalicioni Aleanca dhe Alternativa ka mjaft kapacitet intelektual, organizativ, njerëzorë që të ketë kandidatët  e vetë dhe nuk besoj që do të ketë fare problem që të kemi kandidatë në të gjitha komunat shqiptare dhe të fitojmë tek ato. Pastaj se si do ndodhë radha e dytë apo raundi i dytë ato do të vendosen komfor bisedimeve politike”, theksoi Skender Rexhepi nga koalicioni ASH-AAA.

Limani pret edhe përkrahjen e Kryetarit aktual të Komunës Fatmir Deharit.

 “Nuk e di pse jam i bindur se jo nesër por në periudhat në vazhdim edhe vetë Fatmir Dehari do të prononcohet pro kandidaturës sime”, shtoi Fatmir Limani.

TV21 kontaktoi Deharin, por ai tha se do të përgjigjet në një moment tjetër për çdo fjalë që ka thënë Limani.

Përveç Limanit kandidaturë për Kërçovën ka paralajmëruar edhe Xhevdet Spahiu nga diaspora, i cili thotë se ka marrë dritë jeshile nga lideri I BDI-së Ali Ahmeti.