Likova së shpejti atraksion turistik, rruga që të shpie tek Liqeni i Likovës është e dëmtuar

TË FUNDIT

Kështu duket rruga që të shpie deri tek Liqeni i Likovës vendi, që pretendohet të bëhet atraksion turistik në të ardhmen.

Përveç rrugës e cila lë shumë për të dëshiruar, në këtë rrugë ka edhe një problem tjetër.

“Për qytetarët e kësaj ane e dinë se ku ndodhemi ndërsa për të tjerët jemi në rrugën që shpie drejt pendës së Likovës, ndërsa siç shihet nga pamjet e kamerës tonë gjatë rrugës janë të hedhura materiale ndërtimore gjë që nuk do të ishte e mirë për një vend i cili mund në të ardhmen të shndërrohet në vend turistik”.

Për banorët e Likovës, ky ambient është destinacion për të kaluar një ditë pushimi, ku shfrytëzohet nga shumë qytetarë nga të gjitha qytetet.

Por a planifikon Komuna e Likovës të investojë në këtë zonë e cila mund të tërheqë edhe më shumë tursitë në të ardhmen. I pari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi për TV21 tha se ka përgatitur plan urbanistik për ta shndërruar këtë vend në destinacion turistik.

 “Duke pasur parasysh se Komuna e Likovës ka të përgatitur plan urbanistik për zhvillimin e turizimit në Liqenin e Gllazhnjës dhe Liqenin e Likovës ka bërë përgatitje e dokumentacionit por kemi pasur disa barriera dhe pengesa nga drejtoria e Pyjeve të cilët është dashur me vendim të Qeverisë të harmonizohen qëndrimet tona dhe qendrimet e drejtorisë së Pyjeve dhe kështu i kemi kaluar të gjitha fazat dhe plani është aprovuar dhe është bërë i plotfuqishëm, plani urbanistik për penden e Gllazhnjës, ku paraqiten diku rreth 15 hektarë për ndërtimin e hoteleve, moteleve, restoranteve, vikend shtëpizave, bazeneve të hapura dhe të mbyllura me të vetmin qëllim që ta aktivizojmë turizmin në Komunën e Likovës, tha Arifi.

E për rrugën dhe hedhjen e mbeturinave i pari i komunës thotë se ka problem me operatorë të ndryshëm ekonomik që hedhin aty mbeturina por që ka plan për asfaltimin e rrugës dhe aty të ketë korsi për kalimtarë dhe ulëse dhe të mënjanohet ky problem.