Lihtenshtajni ka internet më të shpejtë në botë, RMV në vendin e 109-të

TË FUNDIT

Hulumtimi më i ri i kompanisë Cable.co.uk, për internet me shtrirje të gjerë i realizuar në 221 shtete dhe territore tregoi se një film më së shpejti mund të “shkarkohet” në Lihtenshtajn, ndërsa më ngadalë në Sudanin Jugor, ku nevojitet gati një ditë.

Sa i përket Maqedonisë së Veriut, e cila në listë është renditur në vendin e 109-të nevojiten 59 minuta dhe 27 sekonda për film me madhësi prej 5GB, ndërsa shpejtësia mesatare e internetit me shtrirje të gjerë është 11,48 megabajt për një sekond.

Sa i përket vendeve të rajonit, Kroacia është në vendin e 25-të, Rumania në vendin e 26-të, Bullgaria e 36-ta, Serbia në vendin e 65-të, Mali i Zi në vendin e 68-të, Kosova është në vendin e 73-të, Bosnja e Hercegovina në vendin e 88-të dhe Shqipëria në vendin e 104-t në rang listë.

Në krye të listës, përveç Lihtenshtajnit janë edhe disa vende të vogla si Xhersi dhe Gjibraltari, ndërsa në top 10 vendet e para janë edhe Luksemburgu dhe Monako.

Tabela globale e shpejtësisë së Internetit për vitin 2020 tregon se Evropa Perëndimore dominon, sepse tetë nga dhjetë vendet në botë me rrjet më të gjerë të shtrirjes gjenden në atë pjesë të kontinentit.

Hungaria (99,74 Mbps) dhe Kong Kongu (105,32 Mbps) hynë në dhjetë vendet dhe territoret e para jashtë Evropës Perëndimore ku ofrohet interneti më i shpejtë me shtrirje të gjerë në Evropë dhe në botë.

Interneti më i ngadalshëm është në vendet më të varfra në Afrikë – mesatarisht prej vetëm 3,80 megabajt në sekond. Këtu një film shkarkohet për më shumë se katër orë, ndërsa në Sudanin Jugor nevojitet gati një ditë e tërë.

As Kina e përparuar nga aspekti teknologjik, me qytetet e tyre 5G, nuk është në pozicion më të lakmueshëm, tregojnë rezultatet e hulumtimit. Mesatarisht, vendi ka kryesisht internet më të ngadalshëm dhe nevojiten pesë orë e gjysmë të shkarkohet film me madhësi prej 5 GB.