Ligji për shtetësi pritet të dorëzohet në Kuvend, VMRO-DPMNE akuzon për keqpërdorim të yllit Evropian

TË FUNDIT

Ligji për shtetësi me yll evropian pritet që nesër të jetë në rend dite në seancën plenare në Kuvend, që të miratohet nevoja e ligjit, e pastaj të kalojë në Komisionin për çështje evropiane. Nga Qeveria thonë se ekspertët ende po harmonizojnë tekstin e ligjit me direktivat evropiane mbi të cilat do të bazohet vendosja e yllit evropian dhe pas kësaj do të dorëzohet në Kuvend.

 “Ju informojmë se përpunimi teknik nga ana e disa institucioneve kompetente është duke u zhvilluar dhe pas përfundimit të tyre i njëjti do të dorëzohet për miratim në Kuvend. Presim që këto ndryshime teknike të përfundojnë shumë shpejtë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski thotë se miratimi i shpejtë i ligjit varet nga vetë Kuvendi dhe jo nga dikush tjetër.

 “Ajo është punë e Kuvendit, nuk është e mirë që unë të vlerësoj se si do të punojë institucioni tjetër. Ajo që  është në kompetencat tona ne e bëjmë. Kuptohet se punën e Kuvendit e planifikon Kuvendi dhe deputetët ashtu që kjo është vendimi  tyre se si do të veprojnë dhe me çfarë dinamike”, deklaroi Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme.

Nga opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE-ja thonë se Qeveria e ka bërë praktikë keqpërdorimin e yllit evropian, ndërsa presin shpjegim nga eksekutivi se me cilat Deklarata të miratuara në BE është harmonizuar ligji për shtetësi.

 “Do të ishte mirë që Qeveria të shpjegojë se për një ligj të tillë, cila rregullativë ose direktivë nga Bashkimi Evropian harmonizohet me ligjvënësin tonë kombëtar, që ligji i tillë të meritojë flamur evropian. Ndërsa e kundërta e kësaj do të ishte keqpërdorim i procedurave kuvendore dhe do të dëmtojë pozicionet  e Maqedonisë, sepse i njëjti do të shënohet në raportet e BE-së që ndjekin përparimin tonë”, u shpreh Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.

Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta” vendosjen e yllit evropian e vlerëson vepër penale, ndërsa do të propozojë ndryshim-plotësim të Kodit penal dhe futjen si vepër penale keqpërdorim të yllit evropian.

 “Deputetët e “Së Majtës” do të propozojnë plotësim të Kodit penal, me vendosjen e një vepre të re penale kundër detyrës zyrtare, keqpërdorim i flamurit evropian në procedurat kuvendore” me dënim burg prej 5 vitesh”, potencoi Dimitar Apasiev nga “E Majta”.

Qeveria dhe opozita shqiptare vendosën që ligjin ta kalojnë me yll evropian për shkak të bllokadave që krijonte opozita maqedonase VMRO-DPMNE dhe “E Majta”.