Flamuri evropian në ligjin për shtetësi do të ndihmojë për t’i tejkaluar pengesat që i krijonte opozita maqedonase në miratimin e tij. Qeveria e vendosi flamurin evropian në këtë ligjit, ndërsa kryeministri Zaev vlerëson se propozimi është në përputhje me deklaratat dhe rezolutat e Bashkimit Evropian që lidhen me shtetësinë dhe se nuk do të jetë problem miratimi i tij.
“Ligji do të jetë me ylli të BE-së sepse si i tillë është në përputhje me deklaratat e miratuara në BE. Edhe propozimi i fundi ishte në përputhje me tabelat koresponduese të BE-së dhe rregullativën e saj. Ndryshimet e tanishme janë pikërisht ato për të cilat jemi marr vesh përmes të cilave i zgjerojmë kriteret për përfitimin e shtetësisë. Teksti është harmonizuar bashkërisht me opozitën shqiptare ndërsa ligji është bllokuar nga një parti e vogël e quajtur E Majta në Kuvend për arsye të panjohura dhe palogjikshme, por sipas meje qëllimi i tyre është provokimi i problemave ndëretnike”, tha kryeminsitri Zoran Zaev.
Deputeti nga ASH, Syrija Rashidi pret që ligji sa më parë të dorëzohet deri në Kuvend e të miratohet përfundimisht.
“Presim që sa më shpejtë ta sjellin dhe ta propozojnë ligjin në Kuvend, ashtu siç jemi marrë vesh me flamur evropian, për t’i ikur fundja edhe gjitha mundësive për ta bllokuar ligjin. Ajo që presim gjithashtu që në seancën e parë të radhës, numër 46, më 15 korrik, ditën e enjte, ligji të jetë në Kuvend dhe mundësisht të jetë edhe në rend dite në seancën e paraparë”, u shpreh deputeti i ASH-së, Syrja Rashidi.
VMRO-DPMNE dhe E MAJTA paraprakisht kanë paralajmëruar se askush nuk guxon ta vendos flamurin evropian në këtë ligj, sepse sipas tyre është antiligjore. Nga ana tjetër Qeveria dhe opozita shqiptare vendosën që ligjin ta kalojnë me flamur evropian, pikërisht për shkak të bllokadave që krijonin këto dy parti.
