Ligji për Lojërat e Fatit nuk kaloi në Kuvend! Ademi: Fajin e shohim vetëm te Pendarovski, jo te LSDM

TË FUNDIT

Ligji për lojërat e fatit nuk i mori 61 votat e nevojshme në leximin e tretë. Për të votuan 51 deputetë, 22 votuan kundër, që nuk mjaftoi për plotësimin e procedurës gjatë votimit të përsëritur të ligjit që parasheh se ligji në atë rast ta marrë përkrahjen e shumicës absolute në Kuvend. Koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi tha se me këtë bëhet dëm i madh për shkak se sipas ligjit bastoret duhej të ishin 500 metra larg shkollave.

“Shprehim keqardhje të madhe para të gjithë qytetarëve për shkak se dje deputetët e opozitës nuk gjetën forcë që të paktën një herë të qëndrojnë në anën e qytetarëve. Të kërkojmë një sqarim, prej këtyre  partive politike dhe këtyre  deputetëve veçmas, se pse ishin kundër largimit të kazinove dhe bastoreve”, tha Arbër Ademi, koordinator i BDI.

Nga opozita shqiptare e përshëndesin faktin që ligji nuk kaloi sepse siç thonë, brenda ligjit ka shumë manipulime.

“Në ligjin e ri nuk ishte paraparë që të tërhiqen kazinotë nga vetë institucionet arsimore, por vetëm bastoret. Ne kërkuam që plotësisht të mbyllen kazinotë dhe bastoret, ndërsa ata deshën që në këtë mënyrë ta mashtrojnë opinionin”, pohoi Fari Hiseni, VLEN.

Por është fakt se dje për ligjin nuk votuan edhe disa deputetë të LSDM-së. Nga kjo parti thonë se është e saktë se ka deputetë që janë kundër këtij ligji.

“Pra, po, ka deputetë që nga fillimi thanë se nuk e përkrahin këtë ligj dhe se do të votojnë kundër. Kishte deputetë që menduan kështu por ndërkohë e ndërruan mendjen, pra këto janë procese demokratike”, theksoi Snezhana Kaleska vançeva, LSDM.

Megjithatë sipas Ademit, fajtori më i madh është presidenti Pendarovski i cili herën e parë, kur u miratua në Kuvend, nuk e nënshkroi dekretin e ligjit, ndërsa nuk e sheh fajin te partneri LSDM që nuk e siguruan shumicën e duhur. Nuk u përgjigj nëse kjo do të ndikojë për përkrahjen eventuale për Pendarovskin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Vendimi i grupit të deputetëve të LSDM-së, edhe pse unë nuk janë në cilësi që të flas në emrin e tyre, por unë e di, vendimi është që të mbështetet propozim ligji i tyre. Disa individë që nuk votuan për ligjin, që munguan në seancë qëllimisht apo jo, kjo është puna e tyre. Nëse kemi vërejtje ndaj presidentit të shtetit, me mosnënshkrimin e dekretit-po. Këtë e kemi thënë disa herë”, u shpreh Arbër Ademi, koordinator i BDI.

Pas mosvotimit të ligjit dje, nga Asociacioni i organizatorëve të lojërave të fatit e përshëndetën vendimin e deputetëve që nuk votuan për ndryshimet skandaloze të ligjit për lojërat e fatit pas vendimit të presidentit të shtetit që ta mos e nënshkruajë dekretin. Treguan se kanë mirëkuptim për argumentet tona, e mbrojtën Kushtetutën dhe shpëtuan mijëra vende të punës, thuhet në reagimin e Asociacionit.