Kanë kaluar 13 muaj që kur deputetët dhe anëtarët e komisionit për arsim, shkencë, rini dhe sport e kanë miratuar ligjin për arsim të lartë, në të cilin parashiheshin disa ndryshime, por deri tani nuk ka lëvizur asgjë. Nga shoqata qytetare “Forumi Rinor Arsimor”, shprehen të dëshpëruar. Ata kanë pritur që implementimi i ligjit për arsim të lartë do t’i mbyllë plagët e vjetra dhe do tu mundësojë studentëve që të marrin pjesë nëpër trupat vendimmarrës në universitete.
“Qëndrimi i Forumit Rinor Arsimor për mos implementimin e ligjit për arsim të lartë është dëshpërues mbi të gjitha për atë se shpresonim që përfundimisht me ligjin e ri për arsim të lartë do të rregullohen problemet kyçe të studentëve. Problemet janë para se gjithash, cilësia e arsimit të lartë si dhe organizimi studentor. Konkretisht, mundësia që studentët të kenë, përfaqësuesit e vet nëpër universitetet ku ata studiojnë si dhe tu mundësohet të njëjtëve të marrin pjesë në vendimmarrje nëpër fakultetet e tyre”, thonë nga Forumi Rinor Arimor.
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Shpresa Hadri, që njëherit është anëtare e komisionit për arsim, shkencë, rini dhe sport, thotë se nuk është problematike sjellja e ligjeve, por se implementimi i tyre kërkon kohë.
“Sjellja e ligjeve është e lehtë. Është më lehtë t’i sjellësh ligjet se sa implemetimet e tyre. Implementimi kërkon pak kohë, prandaj duhet të kemi pak durim. Gjërat do të ecin në të mbarë”, deklaroi Shpresa Hadri nga BDI.
Deputetja tjetër e shumicës parlamentare, Gjylimsere Kasapi thotë se pavarësisht vonimeve, komisioni po punon intensivisht për të implementuar ligjin në tërësi.
“Sigurisht që vonesa që ndodhë është për shkak të vërejtjeve të cilat i ka bërë Qeveria ndaj statuteve të universiteteve publike në vend dhe të gjitha ato i kemi miratuar në procedura me nga dy lexime. Sot miratuam statutin e Universitetit të Tetovës dhe ka ngelur vetëm i universitetit, “Shën Cirili dhe Metodi”. Kështu që janë harmonizuar të gjitha vërejtjet të paraqitura nga ana e Qeverisë së Republikës”, tha Gjylimsere Kasapi nga LSDM.
Duke komentuar mos implementimin e ligjit për arsim të lartë, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi thotë se në MASH nuk ka mbetur asgjë e mirë. Ai shpreson që rikonstruimi të kap edhe ministrin Ademi.
“Nuk ka lëvizje në këtë drejtim, nuk është vetëm kjo ne kemi pasur paralajmërime, herët se do të ketë ndryshime të ligjit të arsimit fillor dhe të mesëm, asgjë në këtë drejtim. Për fat të keq bëhet fjalë për një ministri e cila shoqërohet vetëm me skandale”, theksoi Syrija Rashiti nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se ligji është në fazën e konstituimit dhe se procesi do të rumbullaksohet ditëve në vijim.
“Ishte shtyrë për arsye të kufizimeve të cilat na i krijuan zgjedhjet presidenciale. Njëashtu duke parë faktin se në këto organe dhe trupa do të marrin pejsë të gjithë palët e prekura. Besojmë që ligji në tërësi do të implementohet sepse jemi të vendosur që të bëjmë ndryshime të mëdha të cilat vlejnë për përparimin dhe kualitetin e arsimit të lartë”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Përndryshe, me ligjin e për arsim të lartë i cili morri dritë jeshile nga komisioni për arsim, shkencë, rini dhe sport, parashihej formimi i Agjencisë për cilësinë e arsimit, formimi i Trupit të posaçëm të quajtur avokati i studentëve dhe formimin e Këshillit nacional për ndjekjen e arsimit të lartë.
Përgatiti: Mevludin Imeri
