Ligji për angazhimin e Bektel-Enkës nuk është korrupsion, tha Nikollovski

TË FUNDIT

Miratimi i ligjit, me të cilin hapet rruga për nënshkrimin e marrëveshjes me kompani ndërkombëtare Bektel-Enka, “nuk do të thotë se ne do të bëjmë korrupsion”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për luftim të korrupsionit, Ljupço Nikollovski.

Ka shtuar se sot në Qeveri janë takuar me anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, ku siç tha është kërkuar mbështetje nga ata.

“Do të flasim për të atë që e bëjmë dhe do të kërkojmë mbështetje. Kjo gjeneratë nuk ka kohë për të pritur, ne nuk kemi kohë për të pritur”, tha Nikollovski, transmeton TV21.

Ka sqaruar, se miratimi i ligjit nënkupton se Qeveria ka të drejtë të nis konsultimet me ekspertët ndërkombëtar dhe se është e hapur rruga, se në rast të vendimi nga këto konsultime, mund të angazhojë kompaninë Bektel-Enka për ndërtimin e autostradave të dy korridoreve, pasi siç tha, kompania në fjalë është dëshmuar si më e suksesshmja në këtë fushë.

Ka folur edhe për Planin B, që u tha se ekziston për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10D.

“Nuk e di unë se për çfarë plani B ka folur, për këtë mund të ju flasë ministri i Transportit dhe Lidhjeve”, tha Nikollovski.

Përndryshe, Ligji special i cili që u miratua në Kuvend, mundëson që pushteti të lidhë marrëveshje me kompaninë Beltel-Enka, pa shpallur tenderë. Komisioni Antikorrupsion mendon se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, andaj paralajmërojnë se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ta kontestojë të njëjtin.

Ligji parasheh nominim të partnerit strategjik për implementimin e ndërtimit të korridorit infrastrukturor 8, pjesa Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradë Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë si dhe korridorit 10D si pjesa Prilep – Manastir në Maqedoninë e Veriut./TV21