Përplasje e re mes pushtetit dhe opozitës. Këtë radhë për ligjin për amnisti. Ministri i drejtësisë Krenar Lloga ka bërë thirrje deri tek të gjithë koordinatorët e partive politike që të prononcohen për propozim ligjin, ndërsa siguron se me këto propozime, përfshihen vetëm personat që kanë dënime deri në gjashtë muaj burg. Për ata të cilët kanë dënime prej pak më tepër se gjashtë muaj, do t’u hiqet 30% nga dënimi.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Llogën e konsideron se fejzbukian ndërsa apelin e tij përmes rrjeteve sociale, e konsideron si joserioze. Konsideron se bëhet me qëllim lirimin e kriminelëve.
“Nuk e kemi parë propozim ligjin e dorëzuar për amnisti. Por disi këta fejzbukian janë mësuar që të propozojnë ligje për amnisti ndërsa qëllim kanë të amnistojnë kriminelët. Përpjekje për vrasje dhe vepra tjera penale. Të shohim çfarë përmbanë ky propozim ligj dhe do të prononcohemi”, theksoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por kryeministri Kovaçevski, siguron se ky ligj nuk parasheh fare lirimin e personave që kanë kryer vepra të rënda penale, përfshirë dhe keqpërdorimet e detyrave zyrtare. Gjithsesi sipas tij, të gjitha grupet parlamentare do të mund ta thonë mendimin e tyre kur propozimi të kalojë në Kuvend.
“Unë mendoj se duhet të bëhet, për shkak se bëhet fjalë për ligj i cili i përmirëson procedurat. Nuk mundëson asnjë amnisti për dikë që ka kryer vepër të rëndë penale. Saktë përmenden në vet ligjin. Për këtë mendoj se nuk duhet të hidhen poshtë por duhet të hapet debat parlamentar. Ne si Qeveri do ta shqyrtojmë ligjin në njërën prej seancave të ardhshme dhe përmes procedurave do të dërgohet deri te deputetët dhe ku të gjitha grupet e deputetëve do të mund ta thonë mendimin e tyre. Mirëpo bllokim për shkak bllokimeve, askush nuk përfiton asgjë prej kësaj”, pohon Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.
Për këtë ligj dyshime ka edhe opozita shqiptare. Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa konsideron se një ligj i tillë që sillet në fund të mandatit, është diskutabile. Sipas tij, kjo mund të ketë motive të caktuara politike.
“Ajo që mund të komentoj si deputet dhe si politikan, mund të them se është pak diskutabile kur në fund të mandatit sillen propozime të tilla për amnisti. Kanë motive të caktuara politike nga ana e Qeverisë dhe pushtetit. Qëndrim politik do të marrim pasi ta lexojmë tekstin”, tha Fadil Zendeli – Deputet i L.Besa.
Ndryshe me këtë amnisti lirohen 250 të burgosur, ndërsa mbi 2300 të tjerëve do t’iu ulet dënimi.
