Ligji për Amnisti nuk ka flamur europian! Kovaçevski paralajmëroi amendamente, që të mos përfshihet “Monstra”

TË FUNDIT

Propozim ligji për amnisti arriti në Kuvend. Ligji është parashtruar deri te deputetët dhe është me procedurë të shkurtër, informojnë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili tha se Ligji nuk ka flamur europian, ndërsa këtë e ka ditur edhe Hristijan Mickoski, i cili gjatë fundjavës paralajmëroi se do ta bllokojë ligjin, ndërsa nëse ka flamur europian, deputetët e VMRO-DPMNE-së, do të largohen nga Kuvendi.

“Ligji është dërguar në Kuvend pa flamur europian dhe këtë e di edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së. Ligji është përpunuar disa muaj nga Ministria e Drejtësisë dhe pasi që është përpunuar është dërguar deri te të gjithë partitë politike, përkatësisht të gjithë grupet e deputetëve në Kuvend, duke përfshirë edhe grupin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së, kështu që atë që po thotë VMRO-DPMNE-ja se nuk e ka parë ligjin, nuk është e saktë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Por a ka qëndrime të kundërta edhe në partinë e Kovaçevskit, por edhe në Qeveri për këtë ligj. Dje ministri për punë të brendshme, OIiver Spasovski tha se nuk pajtohet me ligjin e propozuar duke shtuar se me të njëjtin nuk do të arrihet ndonjë efekt. Kovaçevski tha se është mirë që të ketë mendime të ndryshme, ndërsa në një moment edhe ai tha se ka pasur mendim të ngjashëm dhe andaj tha se do të parashtrohen amendamente. Edhe pse paraprakisht kishte reagime se me këtë ligj do të përfshihet edhe rasti “Monstra”, Kovaçevski këtë e demantoi.

“Edhe unë kisha qëndrim timin në lidhje me Ligjin dhe grupi i deputetëve të LSDM-së menjëherë do të parashtrojë amendamente sapo që të hyjë në procedurë ligji që të mos ekzistojë mundësia që të përfshihen disa persona të caktuar në këtë amnisti. Ky ligj nuk është bërë për individë, por për vepra me vëllim më të vogël dhe ata janë theksuar edhe në këtë ligj shumë qartë janë përfshirë veprat që nuk mund të amnistohen”, dekalroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Mickoski me tone më të ulëta nga ato që i kishte më parë  kur paralajmëroi largim nga Kuvendi, ndërsa tani përsëriti se nuk pajtohet me këtë ligj, ndërsa për deklaratën e Spasovskit thotë se është vetëm teatër.

“Spasovski ka dy opsione. Njëri opsion është që nëse nuk pajtohet të largohet nga Qeveria dhe opsioni i dytë është të ndalojë së luajturi teatër dhe të hesht dhe të pranojë se ata që janë përfshirë në këtë ligj janë kriminelë famëkeq, persona që kanë trafikuar substanca të paligjshme ose të njohur si shpërndarës droge, kanë larë para, kanë kryer zhvatje, kanë kryer dhunë e kështu me radhë dhe duhet të ulen dënimet me burg ose disa prej tyre të amnistohen plotësisht”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Deputetët e opozitës shqiptare dje dolën me qëndrimin se janë kundër këtij ligji, se ai në fakt përfaqëson propagandë politike para zgjedhjeve.